Lajme

Afera me privatizimin e “Partizanit”, Policia zbarkon në pallatin e Berishës

Ish-kryeministri Sali Berisha është në një akuzë zyrtare nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) pasi akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim”, në lidhje me aferën e privatizimit të ish klubit sportiv “Partizani”.

Herët mëngjesin e sotëm policia ka zbarkuar në pallatin ku jeton Sali Berisha. Burime për media bëjnë me dije janë parë forcat e”Shqiponjave”, teksa dalin nga pallati ku jeton ish-kryeministri, e njohur si “Rrugoca e Salës”, por nuk dihen më shum detaje.

Po ashtu mbrëmjen e djeshme polcia u paraqitën në selinë e Partisë Demokratike, për t’i komunikuar ish-kryeministrit masën e sigurisë, “detyrim paraqitje.” Një tjetër masë shtrënguese që është marrë nga SPAK për Berishën është se ish-kryeministrit i është bllokuar pasaporta që të mos ketë mundësi për t’u larguar jashtë vendit.

Kujtojmë që mbrëmjen e djeshme dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është vënë në pranga në Rinas. Mbi të rëndojnë dy akuza të rënda, si korrupsion dhe pastrim parash, për privatizimin e ish-kompleksit Partizani në Tiranë, në zonën e 21 Dhjetorit.

Në pranga bashkë me Malltezin është vënë dhe ndërtuesi i kullave në kompleksin ‘’Kontakt’’, shtetasi Fatmir Bektashi.

Hetimet nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisën pas një kallëzimi penal të bërë në vitin 2020, nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të PS.

Në atë tokë, kur dikur ndodhej Klubi sportiv “Partizani”  sot janë ndërtuar dhe vijojnë të ndërtohen ende dhjetëra kulla, teksa Jamarber Malltezi është bashkëpronar me mbi 40% të aksioneve, duke korrur miliona.

Akuzat penale të ngritura nga SPAK:

Sali Berisha – Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë  kryer në bashkëpunim, (neni 260) dhe 25 i K.Penal

Jamarbër Malltezi – Korrupsion pasiv në bashkëpunim (neni 260) dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, (neni 287) i K.Penal;

Fatmir Bektashi -Korrupsion aktiv  dhe Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, (neni 287) i K.Penal;