Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti, ka komentuar raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili parashikon një rritje ekonomike prej 4.1 për qind për Kosovën, duke e renditur vendin mbi disa shtete të rajonit për periudhën e pesë viteve të ardhshme.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Ahmeti tha se, pavarësisht këtij vlerësimi, kjo normë e rritjes mbetet shqetësuese, pasi sipas tij, ekonomia e Kosovës prej vitesh nuk po arrin të kalojë pragun prej 5 për qind.
“Për mua kjo është një shifër shqetësuese, sepse ne nuk po mund ta kalojmë rritjen prej 4 për qind. Zakonisht kemi qenë rreth 4.2 apo 4.3 për qind dhe, fatkeqësisht, ka shumë kohë që kemi harruar të arrijmë një rritje ekonomike prej 5 për qind ose më shumë. Kjo është edhe më shqetësuese sepse nuk vlen vetëm për këtë vit, por edhe për vitet e ardhshme, deri në vitin 2031. Kjo tregon gjendjen aktuale të ekonomisë së Kosovës dhe sa pak po merren parasysh nga institucionet sfidat ekonomike dhe mundësitë që vendi të përmirësojë këtë situatë”, deklaroi Ahmeti.
Ai theksoi se një nga faktorët që e ka favorizuar Kosovën në periudha të ndryshme ka qenë niveli i ulët i ndërlidhjes së ekonomisë vendore me tregjet ndërkombëtare.
“Një prej elementeve që na ka favorizuar gjithmonë ka qenë fakti se ekonomia e Kosovës nuk ka qenë shumë e lidhur me zhvillimet globale. Në periudha krizash, shumë vende janë përballur me pasoja më të mëdha, ndërsa Kosova ka qenë disi më e mbrojtur. Megjithatë, zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, sidomos ato që ndikojnë në çmimet e derivateve, po reflektohen edhe te ne. Po të kishim pasur një ndërlidhje edhe më të vogël me këto tregje, ndoshta ndikimi në rritjen e çmimeve nuk do të ishte kaq i madh”, u shpreh ai.
