Një aksident i rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës, ku si pasojë humbën jetën 4 persona si dhe u plagosën dy të tjerë, të cilët aktualisht ndodhen në spitalin e Traumës, Tiranë.
Blutë e Gjirokastrës kanë njoftuar ditën e sotme se në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur në aksin Tepelenë-Memaliaj, ka rënë në pranga drejtuesi i automjetit tip “BMW”, i cili u përfshi në këtë aksident.
46-vjeçari me ininciale E.P, është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
“Në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, si pasojë e të cilit humbën jetën 4 shtetas dhe u dëmtuan rëndë 2 të tjerë, specialistët për Trafikun Urban dhe Interurban arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit tip “BMW” të përfshirë në këtë aksident, shtetasin E. P., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, njofton Policia.
Aksidenti i trefishtë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në 17 mars, në by-passin e Tepelenës, poshtë Kalasë dhe u mori jetën 4 persona. Drejtuesi i automjetit tip “Benz” si pasojë e shpejtësisë të lartë ka humbur kontrollin duke dalë në korsinë e kundërt. Pasi ka bërë disa rrokullisje ai është përplasur me mjetin tip “Toyota Yaris”. Në aksident është përfshirë edhe drejtuesi i mjetit “BMW” që ndodhej pas tij.
Si pasojë e këtij aksidenti tragjik humbën jetën Lavdosh dhe Lefteri Begaj, çifti i bashkëshortëve si dhe 85-vjeçarja Afërdita Begaj, të cilët në momentin e aksidentit po udhëtonin me mjetin tip “Toyota Yaris”. Tre anëtarët e familjes Begaj ndodheshin në mjetin që u përplas me automjetin tip “Benz” i cili drejtohej nga 42-vjeçari Riza Rrapaj, i cili fatkeqësisht po ashtu ndërroi jetë. Të plagosur në gjendje të rëndë kanë mbetur Lavdie Meta dhe Jani Meta.
Ndërkohë, sipas njoftimit të Policisë u bë me dije se i plagosur lehtë mbeti edhe drejtuesi i mjetit “BMË”, shtetasi me ininciale E.P, si dhe dy pasagjerët që udhëtonin me të.
Viktimat:
Riza Rrapaj-42 vjeç drejtuesi i automjetit “Merecedes Benz”
Lavdosh Bega 62-vjeç, drejtuesi i automjetit “Toyota Yaris”
Lefteri Bega 57-vjeç, bashkëshortja e drejtuesit të mjetit tip “Toyota Yaris”
Afërdita Begaj 85-vjeç
Të plagosur
Lavdie Meta 63-vje, në gjendje të rëndë
Jani Meta 60-vjeç në reaminacion
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo