Lajme

Aktakuzë ndaj tre personave në Deçan për drogë dhe armë

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale që lidhen me narkotikë dhe armë.

Të pandehurit me inicialet I.A., F.T. dhe M.A. dyshohen për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Sipas aktakuzës, I.A. dyshohet se nga janari i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Isniq të Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur marihuanë pa autorizim. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, janë gjetur dhe sekuestruar 131.47 gramë marihuanë, një pushkë automatike, municion dhe dy granata dore.

F.T. dyshohet se nga qershori i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Drenoc të Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur marihuanë pa autorizim. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë sekuestruar 2.93 gramë marihuanë dhe mjete të tjera që, sipas aktakuzës, dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve.

Ndërkaq, M.A. dyshohet se më 6 nëntor 2025, në Drenoc, ka poseduar pa autorizim 0.46 gramë marihuanë, e cila sipas aktakuzës dyshohet se ishte për përdorim personal.

Prokuroria ka njoftuar se me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat ngarkohen.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohen.

Të Ngjashme