Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (FAA) ka urdhëruar ndalimin në nivel kombëtar të nisjes së fluturimeve nga aeroportet amerikane, pas një problemi në sistemin e komunikimit që ka prekur qendrat e kontrollit të trafikut ajror.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, ka bërë të ditur se FAA-ja po heton shkakun e problemit, ndërsa ka premtuar se do të publikohen përditësime sapo të ketë informacione të reja.
“Teknikët e FAA-së po hetojnë problemin. Do të ofrojmë përditësime të menjëhershme sapo t’i kemi”, ka thënë Duffy.
Sipas të dhënave të platformës për përcjelljen e fluturimeve FlightRadar24, rreth 3,100 aeroplanë ndodhen aktualisht në ajër, në drejtim të aeroporteve amerikane. Megjithatë, fluturimet që tashmë janë nisur mund të vazhdojnë udhëtimin dhe të aterrojnë në destinacionet e tyre.
Ndalimi i të gjitha nisjeve të fluturimeve në nivel kombëtar është një masë jashtëzakonisht e rrallë. Herën e fundit që FAA-ja kishte marrë një vendim të tillë ishte në janar të vitit 2023, kur një problem në sistemin e Njoftimeve për Aviatorët (NOTAM) kishte detyruar pezullimin e fluturimeve.
Rasti i mëparshëm kur ishte ndaluar i gjithë trafiku ajror në SHBA daton në shtator të vitit 2001, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
