Lajme

Alarmi për bombë: Zbulohet çfarë thuhet në email-in kërcënues që iu dërgua institucioneve shqiptare

Janë zbardhur emailet që kanë mbërritur mëngjesin e sotëm në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Mesazhi kërcënues ka vënë në lëvizje Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë verifikimet dhe kontrollet në institucionet e përfshira.

Në email pretendohet se në godinat e institucioneve është vendosur një bombë dhe se kjo bombë është vendosur nga “Shteti Islamik”.

“Përshëndetje. Kjo është Shteti Islamik. Me vullnetin e Allahut, kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pafe do të copëtoheni. Pastaj do t’ju varsim. Allahu Akbar”, thuhet në mesazhin e dërguar.
Pas marrjes së emailit, strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë kontrolle në institucionet që kanë marrë kërcënimin, ndërsa verifikime po kryhen edhe në ambientet e SPAK-ut.

Sipas të dhënave paraprake, nga kontrollet e kryera deri tani nuk ka rezultuar që në ambientet e institucioneve të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.

Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe struktura të tjera ligjzbatuese, po punon për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e burimit nga është nisur emaili.

Mesazhi është dërguar njëkohësisht në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit.

Adresa elektronike nga e cila është nisur kërcënimi rezulton të jetë e lidhur me një domain universitar në Argjentinë.

Të Ngjashme