Lajme

Alarmi për Hantavirus, raportohet rast i ri i dyshuar në Atlantik: Nuk lidhet drejtpërdrejt me anijen

Identifikohet në ishullin Tristan da Cunha në Atlantikun Jugor. Sipas mediave britanike, ishulli është vizituar muajin e kaluar nga pasagjerë të anijes turistike ku janë regjistruar edhe raste të mëparshme të infeksionit.

Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë raportuar një rast të ri të dyshuar me Hantavirus te një shtetas britanik, i identifikuar në ishullin Tristan da Cunha në Atlantikun Jugor. Sipas mediave britanike, ishulli është vizituar muajin e kaluar nga pasagjerë të anijes turistike ku janë regjistruar edhe raste të mëparshme të infeksionit.

Agjencia britanike për sigurinë shëndetësore ka bërë të ditur se deri më tani, asnjë shtetas tjetër britanik i monitoruar nuk shfaq simptoma, por të gjithë po mbahen nën vëzhgim të rreptë mjekësor. Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përditësuar situatën lidhur me shpërthimin e infeksionit në anijen “Mv Hondius”, ku numri i rasteve të konfirmuara ka arritur në tetë, ndërsa janë regjistruar tre viktima.

Pesë raste janë të konfirmuara, ndërsa tre të tjera mbeten të dyshuara në një tjetër anije të kompanisë “Oceanëide Expeditions”. Sipas operatorit holandez, aktualisht asnjë pasagjer nuk shfaq simptoma, pasi personat e infektuar janë zbritur më herët nga anija.

Po ashtu, 29 pasagjerë kishin zbritur më herët më 24 prill në ishullin Shën Helena, ku disa prej tyre tentuan të ktheheshin në vendet e tyre në mënyrë individuale. Mes tyre ishte edhe një shtetase holandeze, e cila më pas ndërroi jetë, ndërsa një punonjës i avionit që kishte pasur kontakt me të ka shfaqur simptoma të lehta.

Të Ngjashme