Lajme

Në Prishtinë nis protesta kombëtare për rastin e Arlinda Zekajt dhe vrasjen e grave të tjera

Në Prishtinë ka nisur protesta kombëtare për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe gjitha grave në Kosovë.

Kjo protestë e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbledhur një numër jo të madh të protestuesve në kryeqytet të shtunën.

Përveç kërkesave për drejtësi, kjo organizatë kërkon nga shteti që ta shpallë femicidin si urgjencë kombëtare, si zotim për të gjitha vajzat e gratë e Kosovës.

Kjo organizatë ka renditur gjashtë kërkesa, të cilat sipas saj duhet të përmbushen.

“1. Shkarkim, ndjekje penale dhe burgim për kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren e rastit Suada Rama Hamza, kryetarin e gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së drejtores së QPS-së Shpresa Lukajn, togerin Faruk Muqolli dhe çdo zyrtar/e tjetër të përfshirë; 2. Shkarkim të Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqjen e Gazmend Muhaxherit; 3. Trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare; 4. Sigurim të banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje; 5. Veting apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë. 6. Legalizim të sprejit vetëmbrojtës për gra.”, është thënë në njoftim.

Arlinda Zekaj u vra më  25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj, pak orë pasi ishte intervistuar si viktimë e dhunës në familje, ku për këtë ishte intervistuar dhe ndaluar për 48-orë, ish-bashkëshorti i saj.

Ajo kishte paralajmëruar institucionet tri ditë para se të vritej se është në rrezik.

Pas këtij rasti i cili ngjalli reagime dhe protesta, është suspenduar Kryeprokurorja e Pejës dhe Prokurorja e rastit. Poashtu janë suspenduar 11 zyrtarë policorë në Pejë.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje morale pas këtij rasti. /teve1.info/

Të Ngjashme