Albana Koçiu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mban Portofolin më të madh ministror prej 78.2 miliardë lekë. Ajo mban vendin e parë sipas madhësisë së Portofolit Ministror dhe drejton 21.75% të buxhetit për Ministritë.
Për nga struktura e Ministrisë është parashikuar që Shëndetësia dhe Mbrojtja Sociale të përfshihen në një Portofol Ministror.
Open Data Albania po hulumton mbi Portofolet Ministrore dhe peshën e tyre kundrejt Buxhetit të Institucioneve Buxhetore. Të dhënat janë marrë Buxheti i Shtetit sipas tabelave shoqëruese pas Aktit Normativ Nr. 1 datë 21.02.2024.
Belinda Balluku pason me 15.9% të totalit të Buxhetit Ministror. Si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ajo menaxhon për vitin 2024 portofol prej 57.1 miliardë lekë.
Edhe në vendin e tretë për madhësinë e portofolit ministror qëndron një ministre grua, Ogerta Manastirliu – Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me 52.2 miliardë lekë, sa 14.5% e totalit të shpenzimeve planifikuar për Ministritë.
Në total Gratë në Kabinetin Qeveritar shpenzojnë 57.1% të buxheteve ministrore (154 miliard Portofole drejtuar nga burrat dhe 205 miliard ministri drejtuar nga grupi gjinor femra).
Blendi Gonxhja – anëtari më i ri Këshillit të Ministrave, drejton Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me një Portofol Buxhetor rreth 51.1 miliardë lekë. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 30 datë 17/01/2024.
Niko Peleshi – Ministër i Mbrojtjes, renditur në 5-shen me Portofol Ministror më të lartë, kontrollon 13.4% të totalit të Portofoleve Ministrore, apo 48.3 miliardë lekë.
Pesë Ministrat me Portofol më të lartë, zotërojnë gati 80% të vlerës totale të Portofoleve. Pesha në vlerë parash e këtyre Ministrave është 287.1 miliard lekë nga totali prej 359.6 miliard lekësh.
Në vend të gjashtë, Ministri i Brendshëm Taulant Balla rezulton me një Portofol gati 26 miliardë lekë, ndjekur nga Ulsi Manja – Ministër i Drejtësisë dhe Anila Denaj – Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me një Portofol përkatësisht 14.7 dhe 14.2 miliard lekë.
Ervin Mete – Ministër i Financave (ish Ministër i Financave dhe Ekonomisë), deri në janar 2024 ishte Ministri i dytë me Portofolin më të lartë. Pas ndarjes së Ministrisë së Financave me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 31 datë 17.01.2024, nga ajo e Ekonomisë, zoti Mete pozicionohet në vend të 9-të me vlerë Portofoli, vetëm 10.9 miliardë lekë.
Me peshë më të ulët në Portofolet Ministrore pozicionohen Mirela Kumbaro – Ministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe Igli Hasani – Ministër i Evropës dhe Punëve të Jashtme, me Portofol përkatësisht 3.5 dhe 3.2 miliardë lekë.
Në një renditje sipas vlerës së Portofolit të Investimeve apo shpenzimeve Kapitale, kryeson Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku me Portofol Investimesh 51.3 miliardë lekë apo 89.8% e Portofolit total të Ministrisë.
Ministritë e tjera të linjës kanë Portofol Investimesh më të ulët se 10 miliardë lekë. Vijon listën Anila Denaj me Portofol Investimesh 5.8 miliard lekë, Ogerta Manastirliu me 5.7 miliard lekë, Blendi Gonxhja me 4.7 miliard lekë, Albana Koçiu me 3.2 miliardë lekë, etj.
Ndryshimi i fundit në strukturën institucionale të ministrive u miratua me Vendim Nr. 30 dhe Nr. 31 datë 17.01.2024, për ndarjen e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe krijimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Kabineti i ri Qeveritar aktual konfirmon 11 ministra me portofol dhe 6 pa portofol. Ministrat e Shtetit pa portofol janë Ministri për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, Ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, Ministri për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, Ministër Shteti dhe Kryenegociator Majlinda Lluka, Ministri për Pushtetin Vendor Arbi Mazniku dhe Ministri për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi.
Nga 414.6 miliard lekë shpenzime plan për totalin e institucioneve buxhetore, 86.7% e këtyre shpenzimeve shkojnë për Ministritë, pra rreth 359.6 miliard lekë. Buxheti total Ministror përbën 48.3% të Shpenzimeve Buxhetore total 2024.
Ky Buxhet që shkon për Portofolet Ministrore është 6.5 herë më e lartë se Buxheti për Institucionet e Tjera të Pavarura.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo