
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar pavarësinë në mbledhjen festive të qeverisë që është mbajtur këtë të shtunë, datë 17 Shkurt. Ai ka vlerësuar rezistencën e popullit shqiptar për liri dhe ka theksuar se prejardhja e Republikës së Kosovës është nga lufta çlirimtare.
“Prejardhja e Republikës sonë është te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Për sa kohë Republika e Kosovës të jetë shembull i ngrohtësisë njerëzore dhe lirive qytetare, ajo e nderon trashëgimin e Rilindjes Kombëtare, si një lëvizje shprangosëse që nuk luftojë vetëm për lirinë e shqiptarëve, por edhe të gjithë të tjerëve që bashkëjetuan dhe bashkëjetojnë me shqiptarët”, është shprehur ai.
Më tej, kryeministri i Kosovës ka falenderuar dhe aleatët, pasi siç tha, ata kanë qenë mbështetja kryesore për ndërtimin e shtëpisë së përbashkët – Republikës së Kosovës.
“Me mbështetje nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtar ne ndërtuam shtëpinë tonë të përbashkët – Republikën e Kosovës. Një Republikë parlamentare e mirëfilltë, me drejtësi e barazi për qytetarët e saj, kontribuuese për paqe dhe garanci për paqe. Një shtet që vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut e të gjitha pakicave dhe drejtësinë sociale dhe solidaritetin i ka në thelb të çdo kursi politik dhe shoqëror.
Një çerek shekulli pas luftës Republika jonë qëndron e fortë. Ne qëndrojmë krenar sepse përkundër sfidave shteti ynë po zhvillohet. Mbi vullnetin politik të popullit të saj Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandashëm”, është shprehur kryeministri Albin Kurti.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka thënë se përvjetor të tillë ofrojnë raste të përshtatshme për reflektime retrospektive, të cilat sipas tij rëndom nuk ka kohë të bëhen gjatë ditëve të tjera të vitit.
“Nga kemi ardhur, ku jemi dhe ku nga po shkojmë, këto janë pyetjet të cilat i shtrojmë secili veç e veç dhe bashkërisht. Përgjigjet tona në këto pyetje nuk është e thënë të pajtohen me njëra – tjetrën. Kjo në fakt nuk do të ishte një shenjë e mirë për një shoqëri të lirë e demokratike. Prandaj, ato që do të ofrojë në vijim le të trajtohen si një përgjigjet e njërit prej jush pa çka se sot jam i veshur me petkun e kryeministrit të Kosovës, përkatësisht të kryeshërbëtorit tuaj”, vijoi Albin Kurti.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo