Aleanca ka shprehur mbështetjen e saj për çdo iniciativë ligjore dhe demokratike që synon garantimin e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Në një reagim publik, Aleanca thekson se qëndrimi i saj institucional ndaj këtij procesi ka qenë i pandryshuar që nga fillimi, duke përsëritur bindjen se lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës ishte e drejtë dhe e pashmangshme.
“Duke besuar thellë se lufta e popullit të Kosovës për liri, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme, qëndrojmë fuqishëm në bindjet tona”, thuhet në reagimin e Aleancës.
Aleanca shprehet gjithashtu se beson se procesi gjyqësor në Hagë do të përfundojë me pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Besojmë se në fund të këtij procesi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të dalin të pafajshëm”, thuhet më tej në reagim.
Në këtë drejtim, Aleanca u bën thirrje Kosovës dhe institucioneve të saj që të angazhohen për të mbështetur procesin dhe për të kontribuar që ai të përfundojë, sipas saj, me drejtësi të plotë.
“Për ta arritur një gjë të tillë, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë gjithçka që ky proces të përfundojë ashtu siç duhet, me drejtësi të plotë”, përfundon reagimi.
