Territori shqiptar do të dominohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta në pjesën më të madhe të tij, ku më të dukshme vranësirat do të paraqiten në zonat malore përgjatë shtrirjes Lindore si edhe zona të izoluara në qendër të territorit. Pas mesditës dhe në vijim do të ketë shtim të vranësirave dhe lagështirës në ajër duke bërë që nata vonë të sjellë rrebeshe të përkohshme shiu.
Temperaturat e ajrit do të ulen lehtë në mëngjes por mesdita do të sjellë një rritje të lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 4°C deri në 25°C. Era do të fryjë mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë 45 km/h nga drejtimi Jugor duke sjellë në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.
Kosova
Pjesa e parë e ditës do të jetë nën dominimin e motit të kthjellët dhe vranësirave të shpeshta në pothuajse të gjithë territorin e Kosovës ndërsa në zonat veriore dhe verilindore do të ketë vranësira disi më të dendura. Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja të sjellin përmirësim të theksuar si edhe stabilitet të kushteve atmosferike në të gjithë republikën e Kosovës. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë ne mëngjes por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 5°C deri në 23°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi deri në 30 km/h nga drejtimi Perëndimor – Veriperëndimor.
Maqedonia e Veriut
Republika e MV do të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme gjatë gjithë ditës së martë, duke bërë që paraditja të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të lehta e kalimtare në pjesën më të madhe të vendit. Ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë vranësira më të shpeshta në të gjithë MV por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në mëngjes por rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 5°C deri në 25°C. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare duke arritur shpejtësinë mbi 30 km/h nga drejtimi kryesisht Verior – Veriperëndimor.
Europa
Rajoni i Balltikut si edhe Europa Lindore do të paraqiten nën mbizotërimin e masave ajrore të paqëndrueshme duke bërë që reshjet e dëborës dhe ngricat të jenë prezentë përgjatë gjithë 24 orëshit. Po ashtu vijon problematike situata në Britaninë e Madhe si edhe zonat qendrore të kontinentit me shira të konsiderueshëm si edhe mini-stuhi ere ndërsa alternime kthjellimesh dhe vranësirash do të mbizotërojnë në Europën Jugperëndimore, Gadishullin e Ballkanit, brigjet e detit Egje dhe të zi.