Deklarata e Vjosa Osmanit për postin e presidentit, e bërë pas publikimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe ende pa përfunduar plotësisht procesi i numërimit të votave, ka hapur një debat të ri në skenën politike në Kosovë lidhur me konfigurimin e ardhshëm institucional.
Si bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidate e saj për presidente, Osmani ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje “nuk ka asnjë arsye” për ta refuzuar emrin e saj për një mandat të ri në krye të shtetit.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për presidente të shtatë të Republikës së Kosovës. Kaq është përgjigja ime”, ka deklaruar Osmani në konferencën për media, në adresimin e saj të parë pas përfundimit të zgjedhjeve.
Ky qëndrim ngre disa pyetje të rëndësishme politike dhe strategjike. A nënkupton kjo deklaratë se Osmani po e konsideron vazhdimësinë në Presidencë si prioritet të saj kryesor politik?
Në këtë kuadër, mbetet për t’u vlerësuar edhe sa reale janë gjasat që Lëvizja Vetëvendosje të mbështesë një kandidaturë të tillë, duke marrë parasysh përplasjet politike dhe kritikat e Osmanit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti në muajt e fundit. Kjo gjë e bën edhe më të paqartë dinamikën politike rreth Presidencës dhe vendimmarrjen e mundshme në Kuvendin e ardhshëm.
Qarri: Ambicia për të siguruar një mandat të ri në Presidencë, mbetet prioriteti kryesor politik i Osmanit
E për këtë deklaratë, analisti politik, Gani Qarri e kritikoi ashpër Vjosa Osmanin.
Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se, është e habitshme dhe e papranueshme se si Osmani, ende pa përfunduar numëri i votave, përmend postin e presidentes.
Madje, këtu theksoi edhe sulmet që ajo ia bëri Kurtit e LVV-së kohët e fundit.
“Me bindjen e habitshme se është politikbërëse e pakonkurrencë dhe pretenduese e pazëvendësueshme në shkallë kombëtare për të parën e vendit, Vjosa Osmani sado që në zgjedhjet e 7 qershorit garoi thjeshtë si bartëse e listës së LDK-së dhe kandidate vetëm e kësaj partie për presidente, ende pa përfunduar mirë procesi i numërimit të të gjitha votave, çuditërisht deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes, përkundër faktit se edhe parimisht, në një moment kur rezultati përfundimtar ende nuk është certifikuar, mbetet tërësisht e pazakontë të flasë me propetenecë për mbështetjen e kryeministrit Kurti dhe LVV-së për një mandat të ri presidencial, derisa gjatë gjithë kohës, nga momenti kur ajo nuk është rizgjedhur në postin e pretenduar ka hedhur gur e dru kundër LVV-së dhe kryeministrit Albin Kurti”, deklaroi analisti.

Gani Qarri
Krahas kësaj, Qarri potencoi se Osmani nuk ka sjellë rritjen e pritshme të LDK-së, e cila ka vetëm rreth 3 mijë vota, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.
Në këtë pikë, ai u shpreh i ashpër me Osmanin dhe qasjen e saj gjatë fushatës zgjedhore ndaj Kurtit, duke marrë parasysh se 5 vite më parë ishte ky i fundit që e bëri presidente.
“Madje parë edhe nga numërimi preliminar i votave, Vjosa Osmani nuk i ka sjellë përfitimet që pretendohej as LDK-së dhe derisa në zgjedhjet e dhjetorit 2025, LDK mori 119,201 vota, pa Vjosa Osmanin, në zgjedhjet e 7 Qershorit 2026 LDK me tandemin Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani mori vetëm 121,956 vota, që përkthyer në numra, na del një shifër vetëm rreth 2700-2800 vota më shumë.
Shto krejt kësaj faktin se para pesë vitesh, ishte Albin Kurti, ai që e katapultoi Vjosa Osmanin në postin e të parës së shtetit dhe vetëm pas pesë vitesh, ajo u tregua aq jo-falënderuese e mosmirënjohëse ndaj tij, sa që gjatë gjithë fushatës elektorale, nuk la fyerje e ofendim pa përdorur pikërisht kundër Albin Kurtit politikanit që me partinë e vet e bëri Vjosën presidente dhe që nga momenti i mos-rizgjedhjes së saj në këtë post, ajo e pa Albinin si armik personal të cilin përveçse e akuzoi për prishjen e raporteve ndërkombëtare e paraqiti kryeministrin më të votuar të Kosovës edhe si problem serioz për stabilitetin e vendit dhe të “rrezikshëm për shtetin””.
Në vazhdim, analisti vlerëson se qëllimi kryesor i Osmanit është posti i presidentes, sa që duke hedhur dyshime e akuza ndaj Kurtit, synoi të marrë mbështetje.
Sipas tij, duke parë deklaratat e fundit, nuk ka gjasa reale që Vetëvendosje ta mbështesë përsëri Vjosa Osmanin për president.
“Prandaj megjithëse ambicia për të siguruar një mandat të ri në Presidencë mbetet prioriteti i saj kryesor politik, duke qenë se legjitimiteti i një kandidati presidencial, nuk mund të vendoset nga propaganda e egër e zhvilluar pa argumente në fushata elektorale dhe vetpëlqyeshmeria, por bazuar në merita e besimi i krijuar me punë e angazhim praktik për vendin dhe qytetarët, me këto zgjedhje besojë se po vendosen kufijtë e rinj dhe po merr fund koha e dhurimit të privilegjeve të pamerituara për politikanët shëtitës e parashutist të apasionuar për ta provuar fatin duke kaluar nga partia në parti!
Derisa Vjosa Osmani ka ngritur dyshime aq të paskrupullta kundër kryeministrit me pretendimet më të rënda, pa ofruar asnjë fakt dhe pa dhënë asnjë argument sqarues, ndërsa tani ende pa përfunduar numërimi i tërësishëm i votave të zgjedhjeve të parakohshme ka fytyrë të kërkojë mbështetjen e të njëjtit njeri, pra kryeministrit që deri dje e shante, në të gjitha format dhe mënyrat, përveç papërgjegjësisë së tërësishme personale, është edhe politikisht krejt e pajustifikueshme për të mos thënë edhe qesharake, që tani të kërkojë mbështetjen e të njëjtit njeri, kur dihet se pas eskalimit të saj të paprecedent, nuk ka gjasa reale që Vetëvendosje ta mbështesë përsëri Vjosa Osmanin për presidente, duke pasur parasysh përplasjet e shumta politike dhe kritikat e saj të rënda të muajve të fundit, që ajo ka bërë pa ofruar asnjë argument ndaj LVV-së dhe kryeministrit Kurti”, nënvizoi Qarri.
Më tej, konsideroi se rezultati zgjedhor ka shuar ambiciet e zonjës Osmani për postin e presidentes.
Madje, ai tha se kandidatja e LDK-së për presidente duhet ta kuptojë përfundimisht, se nuk e gëzon më as mbështetjen e qytetarëve për këtë post.
“Kështu që siç u pa, për fat të mirë edhe në këto zgjedhje, Kosova tanimë nuk është vend për favorizimin e të katapultuarëve politik dhe shpërblimin me pozitat më të larta shtetërore e institucionale, të politikanëve të dështuar, as nga votat e qytetarëve dhe derisa vet votuesi me vullnetin e tij të lirë e demokratik, ka shuar ambiciet e zonjës Osmani për postin e presidentes, e cila edhe si pjesëmarrëse në këto zgjedhje ishte kandidate për pozitën në fjalë, sa do e dhembshme të tingëllojë për të, Vjosa Osmani duhet ta kuptojë përfundimisht, se nuk e gëzon më as mbështetjen e qytetarëve si bazamentin fondamental për këtë post.
Këto zgjedhje na dhanë edhe mësimin e duhur, se politikanët e dështuar të cilët në zgjedhjet e rregullta, nuk po arrijnë ti marrin votat e dëshiruara dhe për interesa të veta individuale e grupore, po lëshohen në lojëra të paskrupullta me fatin e popullit e të atdheut duke keqpërdorur mundësinë për përsëritjen dhe çuarjen e vendit në mënyrë tërësisht të panevojshme, në zgjedhje të reja të parakohshme, vetëm për lodhjen e votuesve të ndershëm dhe dëshpërimin e qytetarëve që ia duan të mirën shtetit dhe popullit të vet, nuk do të kenë sukses dhe do të ndëshkohen me votën e lirë e demokratike të qytetarëve për lojërat meskine dhe joseriozitetin e tyre politik e institucional, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare, penguar mbarëvajtjen e shtetit dhe kërcënuar vazhdimësinë e shtetësisë të Republikës së Kosovës”.
Ndër të tjera, analisti shtoi se pavarësisht që nuk do zgjedhet presidente, Osmani do synojë postin e të parës së LDK-së.
“Prandaj pas sjelljeve të saj të pakontrolluara dhe përpjekjeve të paprecedent për dëmtimin publik të kryeministrit Kurti, Vjosa Osmani kot përpiqet ti imponohet LVV-së duke shpallë me vetiniciativë-vetveten kandidate dhe pretenduar se Albin Kurti dhe LVV, nuk “paskan” arsye të mos e bëjnë “presidente”.
Dhe pas shfryrjeve të paskrupullta fyese e akuzave të paprecedent publike ndaj kryeministrit Kurti dhe LVV-së, pikërisht po ky kryeministër e partia që ai udhëheqë, tani e paskan “detyrim” edhe ta votojnë përsëri Vjosa Osmanin për të parën e shtetit?
Jo-kjo nuk besoj se do të ndodhë, por duke qenë se në mjetet e informimit publik u njoftua se Vjosa paska marrë më shumë vota se vet kryetari aktual i LDK-së, pas dështimit për tu ulur në kolltukun e presidentes, duke njohur ambiciet e saj, për të kapur kudo qoftë postin e të parës, kam përshtypjen se Vjosa Osmani do të përpiqet me të gjitha mënyrat, që duke përdorur pakënaqësitë e brendshme, ta përvetësojë pozitën e kryetares së LDK-së ku ka startuar karrierën e vet dhe ta mënjanoi përfundimisht Lumir Abdixhikun nga kreu i partisë që ai mbanë, pa qenë kurrë më parë as anëtar i thjeshtë i këtij segmenti politik”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.
Mehmeti: Vetë këmbëngulja e saj për t’u zgjedhur presidente edhe për një mandat tregon prioritetin e saj kryesor politik.
Kurse, edhe analisti tjetër politik, Gani Mehmeti u befasua me deklaratën e Osmanit se LVV duhet ta mbështesë për presidente.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” u shpreh se ky pretendim i Osmanit është vetëm ambicie për pushtet, ndonëse LVV nuk ka arsye pse ta mbështesë atë, duke parë akuzat që ia ka bërë Kurtit kohët e fundit.
“Vjosa Osmani, e cila ishte bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit dhe kandidate e kësaj partie për presidente, ende pa përfunduar procesi i numërimit të të gjitha votave, deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes
Cilat do të ishin arsyet për propozimin e Vjosës për kryetare? Do të ishte mirë t’i numërojë arsyet ajo vetë, pa e mohuar faktin se ka qenë mjaft e suksesshme në përfaqësimin e shtetit të Kosovës brenda dhe në arenën ndërkombëtare.
Këtu do të lindte pyetja tjetër: përse LVV-ja ka arsye për ta propozuar e zgjedhur Vjosa Osmanin për kryetare të Kosovës?
Ky qëndrim i Osmanit do të interpretohej si ambicie për një mandat të dytë si presidente e Kosovës, duke lënë anash deklaratat dhe kritikat që i janë bërë Kurtit dhe LVV-së nga ajo. Në kushte normaliteti, nuk do duhej që ajo vetë të zgjidhej, pse do të duhej të bashkëpunonte me Kurtin “e rrezikshëm””.

Gani Mehmeti
Krahas kësaj, për faktin se një deklaratë e tillë u bë ende pa përfunduar mirë procesi zgjedhor, e bën atë edhe më të pazakontë.
“Nëse do të duhej gjithsesi të zgjidhej, më parë do të duhej të kërkonte falje publike për gjithçka që ka deklaruar ndaj Albin Kurtit dhe LVV-së, sepse ndryshe nuk dihet si do të komunikonin me njëri-tjetrin, duke qenë të dy në krye të shtetit. Albini nuk ka folur, nuk është deklaruar kundër Vjosës, prandaj nuk ka çfarë të kërkojë falje.
Vetë këmbëngulja e saj për t’u zgjedhur presidente edhe për një mandat tregon prioritetin e saj kryesor politik.
Në anën tjetër, nuk është e zakontë që ende pa përfunduar mirë procesi i zgjedhjeve të flitet për mbështetjen e LVV-së për presidenten në një mandat të ri. Do të duhej pritur përfundimi i zgjedhjeve, pastaj të bisedonin sy më sy me Albinin për postin e presidentes”.
Në fund, analisti potencoi se, nuk pret që LVV ta mbështesë Osmanin edhe për një mandat në Presidencë, kjo për shkak të sulmeve të saj ndaj qeverisë Kurti.
Duke parë të gjitha zhvillimet, ai parashikoi se mund të kemi sërish zgjedhje të reja.
“Nuk shoh mundësi që Vetëvendosja ta mbështetsë Vjosa Osmanin për presidente, për shkak të përplasjeve të shumta politike dhe kritike ndaj Qeverisë së Kurtit në muajt e fundit. Dhe pikërisht kjo e bën shumë të vështirë lidhjen e aleancës me LDK-në për bashkëqeverisje tani pas zgjedhjeve.
Mirëpo, sipas mendimit tim, nëse ky do të jetë kushti që ose të zgjidhen institucionet ose të shkohet në zgjedhje të sërishme, mendoj se duhet lënë të gjitha anash dhe të formohen institucionet, t’i jepet edhe një mandat Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës, e jo të shkohet në zgjedhje.
Kam bindjen se, po të shkohet edhe pesë herë në zgjedhje, rezultati do të jetë i përafërt ose i njëjtë, prandaj nuk ia vlen të shkohet assesi në zgjedhje të tjera para katër vitesh, pra deri në fund të mandatit”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.
