Diplomatët amerikanë po i bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës për të mos i besuar qeverisë me në krye Albin Kurti në deklaratat kur thotë se marrëdhëniet me SHBA nuk janë krisur.
Diplomatët amerikanë po u dërgojnë mesazh qytetarëve të Kosovës që “të mos mashtrohen” nga deklaratat e udhëheqësve të tyre se marrëdhëniet me SHBA-në gjoja nuk janë lëkundur, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë.
Sipas tyre, ata po e thonë hapur, pa gjuhë diplomatike se ky partneritet është lëkundur seriozisht,- shkruan REL.
Një ditë më herët, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se çfarëdo sugjerimi se gjërat midis Kosovës dhe SHBA-së janë në rregull, “nuk është aspak i vërtetë”.
Ai e bëri këtë reagim, pasi Kurti këmbënguli të kundërtën edhe pse ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, tha më 13 shkurt se vendimi i Kosovës për dinarin serb i ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet Kosovë-SHBA.
Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se si e komenton deklaratën e ambasadorit Hovenier, përkatësisht a e sheh si përgënjeshtrim, por nuk mori përgjigje.
Autoritetet “nuk i përçojnë drejt mesazhet”
Ish-ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, thotë se vetë fakti që Hovenier është dashur të bëjë sqarim publik për të vërtetën mbi raportet Kosovë-SHBA, nënkupton që ajo e vërtetë “i është fshehur publikut nga pala tjetër”, përkatësisht Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, deklaratat e diplomatëve amerikanë, O’Brien dhe Hovenier, janë të qarta dhe tregojnë se situata është shqetësuese.
“Imagjinojeni që ata detyrohen t’i drejtohen drejtpërdrejt opinionit publik në Kosovë, sepse mesazhet e tyre, siç duket, nuk po përçohen drejt përmes zyrtarëve të vendit. Kjo është me të vërtetë shqetësuese”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se reagimet e diplomatëve amerikanë nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e dinarit, por se ndërlidhen edhe me modelin e veprimit të autoriteteve të Kosovës, që, sipas tij, është populist.
Autoritetet janë kritikuar për moskoordinim me aleatët perëndimorë, përpara se ta merrnin vendimin që parasheh përdorimin vetëm të euros në Kosovë.
Por, Kurti ka thënë se ky është vendim i Bankës Qendrore të Kosovës – institucion ky i pavarur. Sipas Gashit, Qeveria e Kosovës nuk bën t’i lëkundë marrëdhëniet me SHBA-në, aq më pak në një kohë kur bota përballet me kërcënime të sigurisë.
“Mesazhet janë të qarta dhe kambanat bien për ata që kanë vesh”, – thotë Gashi.
Diplomatët amerikanë “po flasin troç” për publikun
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, thotë se deklarata e Kurtit se partneriteti me SHBA-në nuk është rrezikuar, është “mashtrim”.
“I bie që ti po e mashtron vetëm popullin dhe militantët e pastër partiakë që i ke, sepse nuk mund t’i mashtrosh Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për aq kohë sa ato – madje duke e anashkaluar gjuhën diplomatike – po dalin dhe po e thonë troç”, – thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, deklaratat dhe veprimet e Kurtit janë populiste dhe kanë më shumë efekt elektoral pozitiv për të dhe partinë e tij.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo