“Njerëzit gjithmonë duan diçka të re. Është e pashmangshme. Dhe në të pesëdhjetat, gjithçka ka mbaruar”. Me këto fjalë në The Substance, një film i Coralie Fargeat i prezantuar në Festivalin e Filmit në Kanë dhe i publikuar më 30 tetor, producenti televiziv Harvey (Dennis Quaid) ia plas në sy Elisabeth Sparkle (Demi Moore), një ish-yll kinemaje, e cila, pak e shkuar në moshë, përfundon në ekranin e vogël duke bërë mësime të gjimnastikës në stilin e Jane Fonda.
Gruaja e refuzuar nga shefi i saj që i vlerëson gratë vetëm bazuar në ekuacionin rinia= bukuri, vendos t’i bashkohet një programi që i është propozuar në mënyrë anonime, me emrin si titulli I filmit (Substanca) dhe merr në shtëpi një pajisje me shiringa, shishe dhe provëza së bashku me një substancë fosforeshente dhe një sërë rregullash: nëse e injekton atë në vena, ajo do të prodhojë një version më të ri të vetes, por pasi të ketë jetuar shtatë ditë në trupin e saj më të ri, teksa trupi prej të moshuare pushon, do të duhet të kthehen tek origjinali për shtatë ditë të tjera, duke shkaktuar një alternim të përkohshëm që nuk mund të prishet, nën dënimin e efekteve anësore të tmerrshme.
Kështu pas injektimit, Sue (Margaret Qualley) del nga trupi i Elisabeth, një version i bukur dhe shumë i ri i vetes, e cila shpejt rimerr punën që ajo, tashmë e moshuar, sapo kishte humbur në TV, duke e lënë Harvey-n pa fjalë me sensualitetin e saj. Problemi, megjithatë, për Sue është se mungesa e një jave të tërë dhe vendosja përsëri në trupin e moshuar të Elisabeth në planin afatgjatë, bëhet një problem i vërtetë që I pengon suksesin. Dhe kështu, ajo vendos të zgjasë vigjilencën, duke shkaktuar pasoja të paimagjinueshme.
“Ajo që më pëlqeu në skenarin e Coralie është se i gjithë filmi përqafon perspektivën mashkullore të një gruaje të idealizuar, në të cilën ne vetë kemi besuar dhe të cilës i jemi përshtatur”, shpjegon Demi Moore, e cila në moshën 62-vjeçare dhe pas sukseseve të mëdha me filma të tillë si Ghost, Indecent Proposal dhe Private Jane, që datojnë tridhjetë vjet më parë, është lënë disi mënjanë nga Hollywood-i.
“Ajo që është vërtet interesante për filmin”, thotë regjisorja Coralie Fargeat, “është se kur Elisabeth prodhon këtë version më të ri, seksi dhe me sa duket më të mirë të vetes, ajo më në fund merr shansin që i ishte mohuar, por përsërit edhe një herë të njëjtin model, duke kërkuar miratimin prej mashkullit, dhe në fund e gjen veten duke luftuar vetëm me veten e saj, sepse në fund të fundit këtu duhet të bëjmë ndryshimin e vërtetë, në mënyrën se si sillemi dhe jo se si u shkojmë pas qejfit dhe u përulemi atyre që na shikojnë.”
Fargeat shton: “The Substance është një film që flet për mënyrën sesi trupat e femrave janë gjithmonë objekt i shqyrtimit, fantazive dhe kritikave brenda debatit publik dhe se si ne femrat na shtyjnë të mendojmë se nuk kemi zgjidhje tjetër përveç të qenit perfekte, seksi, të qeshura, të holla, të reja dhe të bukura për të pasur vlera në shoqëri. Në dritën e gjithë kësaj, kur mbusha 40 vjeç, mendova se jeta ime do të kishte mbaruar, se askush nuk do të më pëlqente më dhe askush nuk do të më donte apo nuk do u dukesha interesante. Dhe kështu vendosa të realizoj këtë film për ta trajtuar atë temw. Historia mund të të bëjë të mendosh për “Portretin e Dorian Greit”, por edhe për histori të tjera universale që reflektojnë mbi gjendjen njerëzore, mbi frikën e plakjes, edhe pse këtu ka të bëjë kryesisht me gratë”.
Larg nga të qenit një broshurë e mërzitshme për këtë temë, filmi ka stilin dhe ngjyrat e ndezura të reklamës magjepsëse dhe nuk kursen as shkrepje detajesh tmerruese, duke filluar nga trupi i Elisabeth, i cili copëtohet në dysh për ta nxjerrë jashtë versionin e saj më të ri.
“E kam menduar që në fillim si një tmerr”, shpjegon Fargeat, “dhe e dija se do të kisha dashur të përdorja më pak efekte dixhitale dhe sa më shumë truke të ishte e mundur, sepse ky ishte një film për trupin, kështu që kishte nevojë të perceptohej materialiteti i mishit: puna për të krijuar një grim që ishte bukur për t’u parë dhe krijuar emocione të forta në publik ishte një kohë e gjatë. Për disa skena Demi duhej t’i nënshtrohej seancave të grimit që zgjasin deri në shtatë orë, ndërsa për të tjerat në të cilat ajo duhej të shfaqej shumë e hollë, përdorëm një triko, edhe pse puna më e gjatë ishte tek Margaret për finalen e madhe të filmit .”
Në të njëjtën kohë, duke qenë se flitet për trupa, ato të bukurat e Demi Moore dhe Margaret Qualley (vajza e Andie MacDowell), në film nuk mungojnë skenat e shumta nudo: «Lakuriqësinë e përdora në një mënyrë tjetër» , shpjegon regjisorja. “Kur Elisabeth është në banjë, ajo përballet me veten, shikon veten dhe gjykon veten dhe shfaqet pa truke, e zhytur në realitet, ashtu siç është. Kur shohim Sue-n, trupi i saj shihet nga jashtë dhe për këtë arsye është i përshtatur në një mënyrë tjetër, sepse vlerësohet nga vështrimi i publikut: për këtë arsye i kërkova Margaret-it që të përgatitej sa më mirë me javë të vështira stërvitje në palestër, për të përfaqësuar këtë stereotip të hiperseksualizuar, në dukje të përsosur”.
Pastaj sigurisht që është dhuna dhe gjaku që rrjedh në lumenj dhe ndoshta nuk do ta prisnit nga një regjisore femër, nëse nuk do të ishte për faktin që Fargeat kishte debutuar me Revenge, një thriller që i përket zhanrit gore, në të cilin një vajzë që është viktimë e përdhunimit hakmerret dhe kryen një masakër.
“Dhuna në filmin tim është ekstreme, sepse e shoh si një pasqyrim të asaj që zakonisht rezervohet për gratë në shoqëri, por për mua ajo bëhet edhe një mënyrë për t’u vetëshpallur. Në fakt, teksa rritesha, më dukej se si femër duhej të isha vetëm delikate dhe e ndjeshme dhe se filmat e zhanrit të caktuar si horror rezervoheshin vetëm për meshkujt, të cilët kishin shumë më tepër liri, ndërsa besoj se nuk duhet të kishte dallime”. / bota.al
BotaM