Lajme

Analistët nga Kosova dhe Shqipëria për protestat: Shqetësuese përshkallëzimi i situatës

Analistët nga Kosova dhe Shqipëria, Arton Muhaxheri dhe Ben Andoni, kanë vlerësuar se protestat në Shqipëri janë pasojë e pakënaqësive të grumbulluara qytetare dhe mungesës së përgjigjes nga qeveria e kryeministrit Edi Rama. Në prononcimet për KosovaPress, të dy kanë shprehur shqetësim për përshkallëzimin e situatës dhe dëmtimin e bizneseve private.

Muhaxheri ka kërkuar që institucionet e Kosovës t’u bëjnë thirrje qytetarëve të mos përfshihen në protesta në Shqipëri, duke i cilësuar ato si çështje të brendshme të vendit. Ndërkaq, Andoni ka theksuar nevojën për një zgjidhje politike, duke paralajmëruar se vazhdimi i krizës mund të sjellë pasoja të mëdha.

Arton Muhaxheri në një prononcim për KosovaPress, thekson se kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e Ramës nga pozita e kryeministrit, ndërsa ka kritikuar edhe dëmtimin e bizneseve private gjatë protestave.

Ai ka kundërshtuar pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova në protestat në Shqipëri, duke vlerësuar se këto protesta lidhen me çështje të brendshme të Shqipërisë dhe nuk duhet të përzihen qytetarët e dy vendeve në protestat e njëri-tjetrit.

Muhaxheri: Rama po paguan çmimin e injorimit të qytetarëve

“Mesazhi i qartë është protesutuesit po kërkojmë dorëheqjen e zotit Rama nga pozita e kryeministrit dhe për këto 188 ditë, protestuesit nuk janë dëgjuar dhe ata që nuk dëgjojnë zërin e qytetarëve, natyrisht do të pësojnë kështu siç është duke pësuar tashmë Shqipëria, tri katër ditët e fundit me protesta të dhunshme. Ndonëse kësaj situate i ka fryrë shumë edhe sjellja me prepotencë e kryeministrit Rama”, ka thënë Muhaxheri.

Ai ka shprehur pakënaqësi për dëmtimin e pronave private, duke thënë se nuk e kupton arsyen e sulmeve ndaj bizneseve.

Muhaxheri: Protestuesit po shkatërrojnë edhe bizneset private, kjo është e pakuptueshme

“Unë nuk e kuptoj, pra, këtë revoltë ndaj institucioneve private. Mund ta kuptoj disi nëse dëmtojnë ndonjë institucion publik, sepse në fund të fundit janë ndërtuar me taksat e prindërve të tyre ose taksat e tyre, prapë do të renovohen me taksat e tyre, por nuk e kuptoj pse po shkatërrojnë bizneset private dhe njerëzit privatë. Kjo për mua është e pakuptueshme”, ka deklaruar ai.

Muhaxheri ka kundërshtuar edhe pjesëmarrjen e protestuesve nga Kosova në protestat në Shqipëri, duke iu referuar edhe arrestimit të dy qytetarëve nga Kosova gjatë protestave të fundit.

Muhaxheri kundër kosovarëve në protestat në Shqipëri: Të mos përzihemi në punët e tyre

“Edhe kur ka qenë protesta paqësore, ka pasur njerëz nga Kosova që kanë marrë pjesë në protestën e Shqipërisë, por edhe së fundmi është shtuar pjesëmarrja dhe këtë e dëshmon arrestimi i dy protestuesve nga Kosova, të cilët kanë deklaruar se e duan një qeveri që është pro asaj që qeveriset në Kosovë, duke deklaruar edhe se janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Unë mendoj që protestuesit nga Kosova nuk kanë pse të përzihen në çështjet e Shqipërisë, ashtu siç nuk do të duhej të përziheshin as njerëzit nga Shqipëria në protestat tona eventuale”, ka thënë Muhaxheri.

Muhaxheri ka kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti që t’u bëjnë thirrje publike qytetarëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në protestat në Shqipëri, me arsyetimin se ato lidhen me çështje të brendshme të përditshmërisë së qytetarëve shqiptarë.

Muhaxheri kërkon nga Osmani dhe Kurti t’u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës të mos marrin pjesë në protestat në Shqipëri

“Pres që pasi nuk është vonë që presidentja e Republikës së Kosovës, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, t’u bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e protestave në Shqipëri, përderisa ato lidhen me çështje të përditshmërisë së qytetarëve shqiptarë. Ata duhet të dalin me një konferencë për media ose përmes një postimi në Facebook, duke bërë një thirrje publike se këto protesta nuk i prekin drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës dhe se ata nuk duhet të marrin pjesë në to”, tha Muhaxheri.

I pyetur nëse pjesëmarrja e qytetarëve nga Kosova mund të ndikojë në raportet politike ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, Muhaxheri ka thënë se nuk pret përkeqësim të mëtejmë të marrëdhënieve, por ka vlerësuar se kjo mund të lërë shije të keqe në raportet mes dy vendeve.

Muhaxheri për raportet Prishtinë-Tiranë: Jemi në pikën më të ulët të mundshme

“Në fakt, nuk besoj që ndikon, sepse ashtu raportet janë në pikën më të ulët të mundshme për këto ngjarje të fundit, dhe nuk pres që do të acarohen hala më shumë, sepse nuk ka kush këto raporte, këto nivele të ulëta të cilat i kemi mes Prishtinës dhe Tiranës ose dy qeverive tona. Pra, nuk mendoj që do ta dëmtojë, por që i lë një hije edhe shije të keqe këtij raporti ose e ngarkon këtë raport hala më shumë, atë nuk mund ta mohoj”, ka thënë Muhaxheri.

Ndërkaq, analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, ka vlerësuar se situata në vend është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e pakënaqësive qytetare dhe mungesës së përgjigjes nga qeveria e kryeministrit Edi Rama.

Në një prononcim për KosovaPress, Andoni ka thënë se protestat e vazhdueshme janë radikalizuar ditët e fundit, ndërsa ka shprehur shqetësim për përfshirjen e të rinjve dhe dëmtimin e bizneseve private.

Andoni: Varfëria në Shqipëri arrin në 41 për qind, protestat po përshkallëzohen

“Situata në Shqipëri ka eskaluar jashtëzakonisht për shkak se qeversija e zotit Rama, që pretendohet se është qeveri e majtë, jo vetëm nuk është treguar fer me masat e varfera te popullsise por ka shkaktuar varfëri në vend. Tani varfëria në Shqipëri, madje, është gati 41 për qind. Ajo që duhet të thoja është që protesta që zgjati disa muaj nuk gjeti përgjigjen e duhur nga qeveria e zotit Rama dhe kjo është arsyeja që në pesë ditët e fundit është radikalizuar jashtëzakonisht, ka pasur dhunë pothuajse kudo prej popullit, por studentët janë ata që po japin një impuls, dhe sidomos pjesët e margjinalizuara të popullit, domethënë moshat që janë të gjimnazit dhe mosha më të vogla”, ka deklaruar ai.

Ai ka theksuar se kryeministri Rama, sipas tij, nuk po jep përgjigje konkrete ndaj kërkesave të protestuesve dhe nuk po pranon të japë dorëheqje. Ndërkaq, ka përmendur edhe reagimin e policisë gjatë protestave.

Ben Andoni: Situata është jashtëzakonisht kaotike, sot pritet një protestë e madhe

“Dhe situata është jashtëzakonisht kaotike. Sot pritet një protestë e madhe. Tani ka filluar protesta ditore që bëhet te Ministria e Arsimit. Dhe ajo që shikohet është që zoti Rama deri tani nuk po pranon t’i japë përgjigje, ose të themi, jep përgjigje, por justifikohet dhe nuk do t’i japë dorëheqje. Sot ka premtuar që do të rimbursohen bizneset e dëmtuara, ndërkohë që policia ka qenë njëherë tepër shumë e ashpër në veprimet e saj, kjo edhe nga provokimet, për hir të së vërtetës, të protestuesve. Janë shpërndarë gaz pa fund, flasim me fiter, është shpërndarë uji, është përdorur forca jashtëzakonisht”, ka deklaruar analisti nga Shqipëria, Ben Andoni.

Në fund, Andoni ka thënë se Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje politike, duke paralajmëruar pasoja më të mëdha nëse kriza vazhdon.

Andoni paralajmëron krizë më të thellë në Shqipëri në mungesë të një zgjidhjeje politike

“Besoj që në ditët në vazhdim të ketë një zgjidhje politike, sepse në qoftë se nuk do të ketë një zgjidhje politike, unë mendoj se do të përshkallëzohet edhe në krizë dhe do të ketë pasoja të mëdha”, ka përfunduar Andoni.

Protestat e studentëve po zhvillohen prej disa ditësh në Tiranë dhe në disa qytetet të tjera në Shqipëri.

Të Ngjashme