Lajme

Radioja e Policisë merr dritën e gjelbër

Radioja e Policisë së Kosovës do të ketë autorizim njëvjeçar për testimin e teknologjisë, ndërsa për funksionimin e saj do të ndahet frekuenca 92 dhe, sipas nevojës, edhe frekuenca të tjera.

Nisma ka nxitur reagime të ndryshme, ku janë ngritur shqetësime lidhur me financimin, pavarësinë editoriale dhe përputhshmërinë e saj me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ndërsa, partia në pushtet ka apeluar që kjo çështje të mos shndërrohet në temë politike.

Kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Besnik Berisha, ka bërë të ditur se autorizimi për radion e Policisë së Kosovës është dhënë për një periudhë njëvjeçare, me qëllim të testimit të teknologjisë dhe shërbimeve të reja.

Ai ka thënë se Policia ka paraqitur dëshmi për kapacitetet njerëzore për realizimin e këtij projekti, ndërsa frekuencat do të alokohen në bashkëpunim me zyrën ekzekutive të KPM-së.

Berisha autorizon Radion e PK-së për një vit, në fazë testuese

“Bazuar në kërkesën e tyre, ata kanë sjellë dëshmitë që kanë kapacitete njerëzore për të kryer këtë punë. Autorizimi është për një vit për të testuar teknologjinë, do tu jepen frekuenca 92, por sipas nevojës edhe frekuenca të tjera, të cilat në bashkëpunim me zyrën ekzekutive të KPM-së do të alokohen, për qëllime të testimit. Testimi është i rëndësishëm dhe i dobishëm për shoqërinë tonë, ne dëshirojmë që t’i testojmë shërbimet e reja. Si KPM kemi qenë të bindur se është e rëndësishme pjesa e lajmërimeve të trafikut. Me disa hulumtime që kemi bërë ka dalë shpeshherë që ka qenë institucioni më i besueshëm në Kosovë, dhe nuk kemi parë asnjë problem në këtë aspekt”, ka thënë Berisha.

Megjithatë, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka shprehur kundërshtimet e saj ndaj kësaj nisme, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e funksionimit, burimet e financimit dhe ndikimin e mundshëm politik në përmbajtjen që do të transmetojë radioja.

Madje Kadrijaj ka vënë në dyshim nevojën për krijimin e një radioje të tillë, duke konsideruar se në Kosovë ekzistojnë mjaftueshëm media që mbulojnë sektorë të ndryshëm, përfshirë çështjet e sigurisë.

Andaj ajo ka kërkuar sqarime edhe për institucionin që do të monitorojë funksionimin e radios, duke shprehur shqetësimin se ajo mund të shndërrohet në një instrument të qeverisë.

Kadrijaj kërkon sqarime për institucionin që do monitorojnë funksionimin e radios së Policisë

“Unë nuk kam parë një model të funksionimit të radios së policisë, kam shikua a ka dhe në rajon, askush nuk e ka. Këta vetëvendosje gjithmonë shpikin diçka, ne në Kosovë kemi mjaft media që e mbulojnë çdo sektorë, ndoshta pikërisht të raporteve jo të mira të mediave me Kurtin, ka dashur ta vendos një si opozitë e mediave tona. Çdo veprim duhet të jetë në vazhdën e asaj, a përputhet me legjislacionin e BE një radio e tillë. Nuk e di nga kush do monitorohet, a do të merr urdhra nga ministria e brendshme se çka duhet të lansoj. Nëse do të jetë zgjatje e kësaj qeverie do të jem kritikuese dhe nuk do ndalem. RTK është e vetmja që financohet nga qeveria dhe përballet në vazhdimësi me probleme financiare. Nuk e di se ku po i siguron mjetet për një radio të tillë, apo do t’i bëjë konkurrencë RTK-së”, ka thënë Kadrijaj.

Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka mirëpritur iniciativën, duke e cilësuar të nevojshme për informimin e qytetarëve nga burime të besueshme, siç ka thënë ajo dhe luftimin e dezinformatave.

Sipas saj, radioja mund të kontribuojë edhe në vetëdijesimin e qytetarëve për çështjet e sigurisë, përfshirë rastet e dhunës dhe temat e tjera që lidhen me fushë-veprimtarinë e Policisë.

Nagavci u ka bërë thirrje deputetëve opozitarë që këtë çështje të mos e shndërrojnë në debat politik.

Nagavci i bën thirrje opozitës që Radioja e PK-së të mos shndërrohet në debat politik

“Shpresoj që të jetë një projekt i suksesshëm, besoj se është e nevojshme të kemi një program të tillë, për shumë arsyeje, që të kemi informata nga burime të besueshme, sepse jemi dëshmitarë të dezinformatave të shumta të çdo ditshme. Që të ndikojë edhe në vetëdijesim e ndërgjegjësim, në radhë të parë pas parasysh rastet e shumta të dhunës me pasoja fatale për qytetarët e republikës, dhe për tema tjera që janë në fushëveprimtari të policisë. E mirëpres si një vendim i drejtë, më vjen mirë që edhe KPM e ka mbështetur. Besoj dhe kuvendi do të jemi në dispozicion t’u ndihmojmë. Në krye të radios do të jenë njerëz profesionist të fushës. E kuptoj se deputetët e opozitës duhet të gjejnë një kauzë, por ju bëj thirrje që kjo të mos jetë pikë për bisedime tona politike”, ka thënë Nagavci.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për kp, ka bërë të ditur se përgatitjet për krijimin e radios kanë filluar vite më parë, përmes një grupi punues që ka analizuar mundësitë e realizimit të projektit.

Sipas Policisë, gjatë këtij procesi janë konsultuar partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, është shqyrtuar modeli i Radio KFOR-it, si dhe janë zhvilluar takime me radio të ndryshme në Kosovë për t’u informuar mbi procedurat e funksionimit dhe transmetimit.

“Policia e Kosovës vite më parë ka filluar analizimin përmes grupit punues për radio të Policisë së Kosovës. Lidhur me këtë Policia e Kosovës ka konsultuar edhe partenerë ndërkombëtarë e vendor, përfshirë edhe modelin e radio KFOR-it që funksionon që nga paslufta në Kosovë, si dhe takime me disa radio të ndryshme në Kosovë, për procedurat e funksionimit dhe punës së tyre në transmetim të lajmit/informacionit. Andaj sipas planifikimeve e procedurave të parapara, PK-ja ka bërë analizë për radio të PK- së, me qëllim të promovimit të punës së policisë në komunitet dhe policia me qenë sa më afër qytetarëve për të adresuar shqetësimet e çështjet e sigurisë në bashkësi. Policia e Kosovës, është ndër institucionet më të besuara dhe transparente në vend, andaj ka për qëllim që ta mirëmbajë dhe avancoj besimin dhe transparencën e saj”, ka thënë PK përmes një përgjigje me shkrim.

Nga ky institucion kanë theksuar se synimi kryesor është promovimi i punës së Policisë në komunitet, afrimi me qytetarët dhe adresimi i shqetësimeve të tyre për sigurinë.

Të Ngjashme