ShowBizzz

Angelina Mango është fituesja e festivalit të Sanremos

Kanë kaluar 10 vjet që kur një grua fitoi festivalin e Sanremos: suksesi i fundit datonte në vitin 2014, kur Arisa fitoi me Controvento.

Por, tashmë, tabuja është rithyer dhe fituese e Sanremo 2024 është Angelina Mango me këngën e saj “La Noia” (Mërzia).

Mes lotësh, në fund, nuk e mbajti as veten dhe ra në skenë, duke i kërkuar falje publikut që e ndoqi dhe brohoriti gjatë gjithë kohës, teksa do të përfaqësojë Italinë edhe në festivalin evropian të këngës Eurovision.

Një këngë jo shumë konvencionale si për Sanremon, ku kryesisht fitojnë baladat e lehta – muzika italiane ka ndryshuar.

Është ndoshta edhe kënga më ekstravangante fituese që prej kur Maneskin me hard rock-un e tyre “Zitti e Buoni” triumfoi jo vetëm në Sanremo, por edhe në Eurovision, duke thyer shterpësinë e Italisë pa çmime në festivalin evropian.

Qartësisht gjithsesi Sanremo nuk është më si më parë, guxojmë të themi edhe ishte bërë “i mërzitshëm”, me kritika për prezantuesit, këngët e paraqitura, deri edhe fituesit që ngjanin si të njëjtët.

Mango në fakt mund të vendosë edhe piketën për një Sanremo të ri, më të hareshëm, më të guximshëm, më jo linear dhe mbi të gjitha jo të mërzitshëm.

Nëse shihet edhe podiumi në realitet, apo pesëshja e parë, Mangon e ndjekin Geolier, Annalisa, Ghali dhe Irama.

Vetë Geolier i vendit të dytë me këngën “I P’ Me, Tu P’ Te” (Unë për vete, ti për vete), në një theks të thellë napoletan në festival, tregon se publiku nuk paragjykon më, por përqafon.



bal