Gjykata e Apelit e ka kthyer në rivendosjes vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes të cilit kjo e fundit kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj 53 të akuzuarve për masakrën në Mejë dhe fshatrat tjera të Gjakovës ku ishin vrarë 370 civilë.
“Me rastin e ankesave të mbrojtëseve të akuzuarve ANULOHET Aktvendimi PS.nr.66/2023 i datës 25.08.2025 i Gjykatës Themelore-Departamenti Special në Prishtinë, çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim e vendosje”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 25 maj 2026.
Të akuzuar në këtë rast janë: Momir Stojanoviq, Sreten Çamoviq, Nikola Miqunoviq, Milovan Kovaçeviq, Sergej Peroviq, Verolub Zhivkoviq, Milan Kotur, Radomir Çoliq, Dragutin Josifoviq, Franko Simatoviq, Momçilo Stanojeviq, Vllatko Vukoviq, Ilija Todorov, Stevo Kaponja, Dragan Zhivanoviq, Millosh Gjoshan, Danilo Zeçeviq, Dimitrije Rashoviq, Millosh Shçepanoviq, Predrag Stojanoviq, Aleksandar Pekoviq, Zhivko Vuksanoviq, Millutin Novakoviq, Sokol Abazi, Novica Stankoviq, Misho Popoviq, Millan Noviqeviq, Nenad Rajiçeviq, Muharrem Ibraj, Millan Slavkoviq, Dragan Isailloviq, Sasha Antiq, Zllatko Odak, Savo Lekiq, Dragan Raciq, Milladin Novakoviq, Dragan Pekoviq, Njegosh Prashqeviq, Dushan Prashqeviq, Ranko Vukadinoviq, Momçilo Stijoviq, Dushan Nedoviq, Gjokica Mihajloviq, Mirash Gegoviq, Zoran Mirkoviq, Aleksandar Miqunoviq, Llazar Drashkoviq, Mihill Abazi, Momçilo Novakoviq, Marko Abramoviq, Smajl Beqiri, Momçilo Pantiq dhe Predrag Miqunoviq.
37 mbrojtës të të akuzuarve kishin parashtruar ankesë ndaj aktvednimit të Themelores me të cilin ishte konfirmuar aktakuza e PSRK-së, ndërsa arsyet kryesore të paraqitura në ankesa janë: shkeljet procedurale, vërtetimi i gabuar ose jo i plotë i fakteve, vlerësimi i gabuar i provave, shkelje e Ligjit Penal dhe mungesë e provave të mjaftueshme për të mbështetur aktakuzën.
Ndërsa në anën tjetër, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtëseve të të akuzuarve, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Gjykata Apelit e Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore të mbrojtëseve të të akuzuarve, gjeti se aktvendimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje dhe se lënda duhet të kthehet në rivendosje.
“Aktvendimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, andaj i njëjti duhet të anulohet e çështja penale t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në vendim.
Gjetjet e Apelit:
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, shkalla e dytë gjeti se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që shqyrtimi fillestar është mbajtur në mungesë të të akuzuarve pa u përmbushur kushtet ligjore.
Përkatësisht, sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, nga shkalla e parë nuk janë ndërmarrë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e të akuzuarve për shqyrtimin fillestar e për sigurimin e pranisë së tyre.
Kolegji ka gjetur se, përkundër faktit që në shkresat e lëndës gjendet ftesa për seancën e datës 15 prill 2025, në gjuhën shqipe e përkthyer në gjuhën serbe, nuk ekziston asnjë provë apo dokument që mbështet faktin se kjo ftesë është publikuar në ueb-faqen e gjykatës, në ueb-faqen e Prokurorit të Shtetit dhe në Gazetën Zyrtare.
Tutje, Kolegji ka theksuar se nuk pajtohet me qasjen e gjykatës së shkallës së parë e cila ka konstatuar se janë plotësuar kushtet që të vazhdohet me gjykimin në mungesë dhe se janë bërë përpjekje të arsyeshme vetëm mbi bazën e përpilimit të ftesës për seancë.
“Vetëm mbi bazën e përpilimit të ftesës për seancë, mbi supozimin se publikimi i saj dhe i aktakuzës në mënyrë formale në Web-faqen e gjykatës, Web-faqen e Prokurorisë e në Gazetën Zyrtare, është realizuar, ku mbi këtë bazë ka vazhduar me mbajtjen e shqyrtimit fillestar përkatësisht gjykim në mungesë duke konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për zhvillimin e tij, përfundim ky që edhe po të ishte realizuar publikimi i tillë, sipas vlerësimit të Kolegjit nuk do të ishte i mjaftueshëm për të përmbushur standardin e përpjekjeve të arsyeshme”, thuhet në gjetjet e Apelit.
Apeli, sqaron se Kodi i Procedurës Penale parasheh dy raste të ndara për mbajtjen e gjykimit në mungesë, përkatësisht: kur i akuzuari konsiderohet se ka hequr dorë nga e drejta për të qenë i pranishëm në shqyrtimin gjyqësor dhe nëse gjykata bindet se janë bërë përpjekje të arsyeshme për njoftimin e tij për shqyrtimin gjyqësor e për sigurimin e pranisë së tij.
Në rastin konkret, duke qenë se procedura zhvillohet për vepër penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, kërkohet që gjykata si pjesë e përpjekjeve të arsyeshme duhet të përmbushë tri kushte për të konstatuar përkpjekjet për sigurimin e të akuzuarve në procedurë. Këto kushte përfshijnë: shterimin e procedurave, zhvillimin e një fushate informative të plotë me thirrje të qartë drejtuar të akuzuarit dhe publikimin e ftesës e të aktakuzës në ueb-faqen e Prokurorisë së Shtetit, ueb-faqen e faqen e gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare.
Në vendim të Apelit thuhet se njoftimet e këtilla përfshijnë edhe thirrjen drejtuar çdo personi që posedon informacion relevant për vendndodhjen e të akuzuarit që t’ia komunikojë atë informacion policisë.
Shkalla e dytë, gjen se përveç kushtit të parë, nuk mund të dëshmohet plotësimi i kushtit të publikimit të ftesës dhe aktakuzës dhe gjykata e shkallës së parë kishte anashkaluar tërësisht zhvillimin e një fushate informative të plotë e cila është kusht për konstatimin e përmbushjes së gjykimit në mungesë të akuzuarit.
Në rivendosje, gjykata e shkallës së parë sugjerohet nga Apeli që ta caktojë sërish shqyrtimin fillestar dhe të eliminojë të gjitha shkeljet e konstatuara në këtë vendim, ashtu që të përgatisë mbajtjen e gjykimit në mungesë.
Po ashtu, sugjerohet shkalla e parë, të zbatohet një fushatë informative e plotë, shpallje publike përmes Policisë me njoftimin se ndaj të akuzuarve zhvillohet procedurë penale si dhe thirrjen që çdo person që posedon informacion për vendndodhjen e tyre ta komunikojë atë informacion policisë.
Ndryshe në seancën fillestare më 16 qershor 2025, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte lexuar aktakuza nga prokurori Ilir Morina dhe Gjyjata konstatoj se është e bindur se janë bërë përpjekje për sigurimin e të akuzuarve, andaj mori vendim që gjykimi të mbahet në mungesë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në dhjetor të vitit 2023 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 53 të akuzuarve për masakrën e Mejës.
Aktakuza u ndryshua më 23 dhjetor 2024.
Të gjithë të pandehurit, deri tani gjenden në arrati.
