Lajme

Apeli lë në fuqi vendimin për sekuestrimin e HEC-in në pronësi të Erzen Breçanit

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin e GJKKO, për sekuestrimin e HEC-it “Drita”, në pronësi të ish-drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçanit dhe familjarëve të tij.

Sekuestrimi u bë pasi SPAK dyshon se 350 mijë euro të ardhura nga trafiku i drogës janë investuar në HEC-in “Drita”.

Struktura e Posaçme Anti Korrupsion përveç HEC-it në pronësi të Breaçanit, ka sekuestruar edhe llogaritë bankare dhe disa automjete të Ervin Matës.

Njoftimi i plotë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 22.01.2024, ora 11:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 21 akti, datë 11.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e Shoqërisë {…} sh.p.k., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 465, datë 24.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vendosjen e masës së sigurimit pasuror”, dhe vendosi:
–Miratimin e vendimit nr. 465, datë 24.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

–Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit tij.

 “HEC DRITA ENERGY”, është themeluar në vitin 2019 ndërsa pronarë të saj janë firmat “BREÇANI-R.O.S.P”. Por në emër të Erzen Breçanit, në shtator 2022 është regjistruar dhe një kompani tjetër me emrin “Breçani” me objekt: “…investim, Operim, Prodhim, shfrytëzim, shitje i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga të gjitha burimet e rinovueshme të energjisë elektrike si dhe të gjitha veprimtaritë e tjera ligjore që rrjedhin nga aktiviteti tregtar i energjisë elektrike…”

Erzen Breçani, ish-drejtor i Policisë së Tiranës dhe Dedan Gjoni, shef i Krimeve në Komisariatin nr.6 u arrestuan më 20 nëntor pranë stadiumit “Air Albania” në prag të ndeshjes së fundit të kombëtares kundër Ishujve Faroe, shkruan neësbomb.al. Breçani dhe Gjoni kanë qenë pranë stadiumit kombëtar duke pritur të shkonin për të parë ndeshjen, mirëpo biletat u mbetën në dorë.

Ish-drejtori i Policisë së Tiranës gjatë kohës së qeverisë Berisha dhe shefi i Krimeve në Komisariatin Nr.6 akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se janë pjesë e një grupi kriminal që merreshin më vrasje, të zbuluar nga bisedat në aplikacionin sekret “SKY”.

Në dëshmi Breçani ka deklaruar se nëse është në burg, është prej djalit të tij, Eralbi Breçani. Ai mohoi të ketë prova për aktivitetin e trafikut të drogës dhe se nuk di gjë se me çfarë merret djali i tij. Para trupës gjykuesemë herët Breçani deklaroi se  se e ka këshilluar të birin, Eralbi Breçani që të mos merrej me gjëra të paligjshme. Ndërsa ka thënë se vetë i ka shërbyer shtetit edhe duke vënë jetën në rrezik.

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo