Gjykata e Apelit në Kosovë ka liruar nga akuza katër të akuzuarit: ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begajn, ish-ministrin Bajram Hasanin, si dhe Bashkim Krasniqin e Malë Krasniqin, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas njoftimit të gjykatës, është ndryshuar aktgjykimi në pjesën dënuese, ashtu që të njëjtit i ka liruar nga akuza, pasi nuk është provuar vepra penale për të cilën ata akuzoheshin dhe ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, me aktgjykimin APS.nr.12/2025 të datës 08.07.2025, ka aprovuar si të bazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve Ragip Begaj, Bajram Hasani, Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi dhe, sipas detyrës zyrtare, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PS.nr.29/2021 të datës 11.07.2024, në pjesën dënuese, ashtu që të njëjtit i ka liruar nga akuza, pasi nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës lidhur me aktgjykimin për këtë rast.
Tutje, gjykata bën të ditur se ka pushuar procedurën penale ndaj Hajdin Berishës, për shkak se i njëjti ka ndërruar jetë.
“Me rastin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin edhe në pjesën që ka të bëjë me tani të ndjerin Hajdin Berisha, duke e pushuar procedurën penale ndaj tij për shkak të vdekjes. Ndërsa, ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe e ka vërtetuar aktgjykimin në pjesën liruese në raport me të akuzuarit Faton Thaqi, Malë Krasniqi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj, kurse pjesa e ankesës në raport me tani të ndjerin Hajdin Berisha ka mbetur pa object”, thuhet në njoftim.
Të akuzuarit në këtë rast fillimisht ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila e kishte dënuar Ragip Begajn dhe Bajram Hasanin me nga dy vjet e gjashtë muaj burgim.
Ndërsa, të akuzuarit Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi i kishte dënuar secilin me nga dy vjet burgim për të njëjtën vepër penale.
