Lajme

Apeli rrëzon Pëllumb Gjokën, mbeten në sekuestro 3 sipërfaqe në plazhin e Velipojës

Apeli ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e 390,000 m2 tokë në pronësi të biznesmenit Pëllumb Gjoka, në plazhin e Velipojës.

Gjykata e Posaçme e Apelit nuk e pranoi kërkesën për lirimin e 3 sipërfaqeve toke në Pulaj Plazh të Velipojës, të poseduara nga shoqëri tregtare dhe persona të lidhur me biznesmenin Pëllumb Gjoka. Aktualisht 3 sipërfaqet e tokës rezultojnë të regjistruara në emrin e babait të biznesmenit, Kol Gjoka. Pasuritë e vendosura në sekuestro janë:

  • Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregëtare …….;
  • Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregëtare ……..;
  • Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit K. Gj.

SPAK ka deklaruar se nga hetimet e kryera ka prova se pasuritë e lartpërmendura, janë përfituar nga falsifikimi i dokumenteve të kryer nga shtetasi Pëllumb Gjoka.

Gjoka u arrestuar si pjesë e një grupi kriminal pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin SKY EÇ  pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në porositje vrasjesh të pafinalizuar në Shkodër dhe Tiranë. Gjithashtu akuzohet se ka qenë në dijeni dhe siguruar kushte për krime të tjera të kryera, nga Behar Bajri dhe persona të tjerë të arrestuar në këtë dosje të njohur si Metamorfoza.

Ndër të tjera, Pëllumb Gjoka hetohet nga SPAK edhe si pjesë e një grupi kriminal, dyshohet se i ka përfituar këto prona, duke falsifikuar dokumente në bashkëpunim me persona të tjerë.

Ky sekuestrim erdhi pas hetimit penal të nisur ndaj tij, teksa SPAK ka të hapur edhe hetimin pasuror prej gushtit dhe është duke kaluar në sitë edhe pasuri të tjera në pronësi të biznesmenit dhe të afërmve të tij.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka ra në pranga në fund të muajit korrik, pas zbardhjes së disa komunikimeve në platformën SKY, të sjella nga autoritetet franceze.