Një deklaratë e Ori Nebijajt për Arbana Osmanin ka rikthyer në vëmendje raportin mes dy moderatoreve, ndërsa një postim i fundit i Arbanës në rrjetet sociale po interpretohet si një përgjigje ndaj ish-koleges së saj.
Gjithçka nisi gjatë emisionit “Goca dhe Gra”, ku Ori Nebiaj, në një bisedë me Jonida Maliqin, u pyet për personazhet e njohur që, sipas saj, janë ndryshe në ekran nga mënyra se si sillen në jetën reale.
Në përgjigjen e saj, Ori përmendi drejtpërdrejt Arbana Osmanin, duke pranuar se ishte zhgënjyer prej saj.
“Një nga personazhet e medias që realisht për mua është tjetër gjë në ekran dhe është tjetër gjë si individ, është Arbana Osmani, që më ka zhgënjyer”, u shpreh moderatorja.
Megjithatë, Nebiaj nuk dha detaje për arsyet e këtij zhgënjimi dhe as për ndonjë ngjarje konkrete që mund të ketë ndikuar në marrëdhënien mes tyre.
Pas kësaj deklarate, Arbana Osmani publikoi në rrjetet sociale një shprehje që ka tërhequr vëmendjen për shkak të kohës kur është shpërndarë.
“Njoh njerëz që më mbajnë mëri për gjëra që ata vetë më kanë bërë mua”, shkruhet në postimin e moderatores.
Ndonëse Arbana nuk ka përmendur emrin e Ori Nebijajt, mesazhi është interpretuar si një kundërpërgjigje ndaj deklaratës së saj në televizion.
Kjo nuk është hera e parë që Ori Nebiaj flet publikisht për marrëdhënien me Arbana Osmanin.
Në korrik të këtij viti, e ftuar në emisionin “Kampionët e Botës” në TV Klan, ajo përmendi emrin e Arbanës kur u pyet se cilin person kishte larguar nga jeta e saj, duke treguar se ato nuk komunikonin më.
Deklarata e fundit në “Goca dhe Gra” është më e drejtpërdrejtë, pasi këtë herë Ori ka pranuar hapur se ndihet e zhgënjyer nga ish-kolegia.
