ShowBizzz

Arbër Hajdari i përgjigjet Erion Veliajt: “Nuk e kuptoj pse rashë në çorbën e tij”

Arbër Hajdari ka reaguar pas deklaratave të Erion Veliajt, i cili në një letër të publikuar nga burgu pretendoi se kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte atë Hajdarit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje, duke e cilësuar pretendimin e kryebashkiakut si një thashethem që nuk ka lidhje me të.

“Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt. Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!”, shkruan ai.

Në vijim, Hajdari thekson se nuk ka asnjë interes për t’u përfshirë në konfliktin politik dhe ligjor që lidhet me Veliajn, ndërsa ironizon edhe mundësinë e marrjes së një posti në Bashkinë e Tiranës.

“Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, shprehet ai.

Reagimi vjen vetëm pak orë pasi Veliaj publikoi një letër, në të cilën pretendonte se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, i kishte përcjellë gjatë një takimi në burg tri kërkesa në emër të kryeministrit Edi Rama.

Mes tyre ishte edhe pretendimi se Veliaj duhej të hiqte dorë nga Bashkia e Tiranës dhe t’ia delegonte drejtimin Arbër Hajdarit.

Ndërkohë, ministri Toni Gogu e ka mohuar më herët versionin e kryebashkiakut, duke deklaruar se gjatë takimit nuk i ka përcjellë mesazhe apo kërcënime në emër të Ramës.

Në reagimin e tij, Hajdari ka zgjedhur të mos merret më tej me akuzat, duke theksuar se vazhdon të jetë i përqendruar te aktiviteti i tij i përditshëm dhe puna me njerëzit në nevojë.

“Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota. Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”, përfundon ai.

Të Ngjashme