Partitë politike kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje, ka vlerësuar politologu Dritëro Arifi në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL), duke shtuar se, në mungesë të opozitës në seancën për votimin e presidentit, vendi shkon në zgjedhje pavarësisht çka mund të ndodhë sot në Kuvend.
Sipas Arifit, “secila palë po mendon që ka të drejtë në atë që e pretendon”.
Ai shton se opozita, “në kushte normale”, do të duhej të shkonte në seancat për votimin e presidentit të vendit.
“Por, duke pasur parasysh që jemi në një katrahurë politike që nga viti 2025, e cila është bartur po ashtu edhe në vitin 2026, po vërehet shumë qartë që nuk ka bashkëpunim, nuk ka mirëbesim mes partive politike”, beson ai.
Ai vlerëson se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi të gjitha palët, por thekson se barrën kryesore e mban partia e parë, duke shtuar se nuk ka vend për arsyetime apo viktimizim. / REL
