Lajme

Policia gjen armë në veturën e të dyshuarit që kishte shkaktuar aksident dhe ikur nga vendi i ngjarjes

Policia e Kosovës në Ferizaj ka gjetur në një veturë një armë zjarri e cila është sekuestruar.

Arma është gjetur në veturën e të dyshuarit A.J, 40-vjeç, i cili dyshohet se kishte shkaktuar aksident trafiku dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

“Më datën 07.11.2026, rreth orës 21:40, njësitet reaguese të stacionit policor në Ferizaj kanë ndaluar një veturë të tipit BMË me targa vendore, e cila dyshohej se kishte shkaktuar një aksident trafiku me dëme materiale dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Gjatë verifikimeve dhe kontrollit tek shoferi i veturës, A.J., 40 vjeç kanë gjetur në posedim një armë zjarri për të cilën posedonte leje”, thuhet nga policia.

I dyshuari sipas njoftimit është shoqëruar në stacion policor, ku njësiti i hetimeve ka kryer procedurat përkatëse dhe me këtë rast, kanë sekuestruar: një pistoletë me karikator dhe dhjetë fishekë.

“Me autorizimin e prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet në komunikatë.

Të Ngjashme