Lajme

Arifi: Pa “PO”-në e SHBA-së, Kosova nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s

Analisti i çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka vlerësuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është faktori kyç për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke theksuar se pa miratimin e Uashingtonit një gjë e tillë nuk mund të realizohet.

Arifi tha se edhe nëse Kosova do të kishte një ushtri me kapacitete dhe nivel përgatitjeje të krahasueshme me ato të Francës apo Gjermanisë, kjo nuk do të mjaftonte për t’u bërë pjesë e Aleancës Veriatlantike pa mbështetjen amerikane.

“Pa thënë ShBA-ja ‘po’, edhe nëse ne e kishim pasur ushtrinë, po themi, të Francës apo të Gjermanisë me përgatitje, ne nuk mund të bëhemi anëtar i NATO-s”, deklaroi ai.

Sipas Arifit, përveç aspektit ushtarak, procesi i anëtarësimit në NATO varet edhe nga vendimet politike të vendeve anëtare, ku roli i Shteteve të Bashkuara mbetet vendimtar.

“Pa thënë ShBA-ja ‘po’ asnjëherë s’bëhesh anëtar i NATO-s. Edhe nëse ka pengesa politike, ato mund të zgjidhen. Por, kur nuk e kemi një ‘PO’ të madhe të Amerikës, imagjino çka thonë shtetet që nuk e njohin Kosovën brenda NATO-s”, u shpreh Arifi.

Të Ngjashme