Lajme

Armët ilegale, kërcenim për sigurinë në Kosovë

Armët vazhdojnë të jenë shqetësim për sigurinë në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2025, Policia konfiskoi rreth 2 mijë armë dhe mbi 39 mijë fishekë. Përballë rrezikut që paraqesin armët ilegale, njohësit e sigurisë kërkojnë masa që do t’i nxisnin qytetarët t’i dorëzojnë ato, ndërsa rastet e vrasjeve vazhdojnë të ngrenë shqetësime.

Konfiskimi i armëve ilegale dhe rastet e vrasjeve vazhdojnë të përbëjnë shqetësim për sigurinë në Kosovë. Sipas Policisë, gjatë vitit 2025 janë konfiskuar 1931 armë dhe mbi 39 mijë fishekë, ndërsa gjatë vitit paraprak janë konfiskuar 1746 armë dhe mbi 33 mijë fishekë.

Njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se amnistia mund të shërbejë si një mundësi për të nxitur qytetarët që t’i dorëzojnë armët ilegale.

 “Amnistia nganjëherë është shpëtim, sepse nuk ka ndjekje për ata persona që i dorëzojnë armët. Do të duhej që këta persona edhe të stimuloheshin”, tha Arben Dashevci, njohës i çështjeve të sigurisë.

 Ndërkaq, sociologu Genc Xërxa shpreh shqetësimin për prirjen e individëve dhe palëve të ndryshme për t’i zgjidhur konfliktet duke marrë ligjin në duart e tyre.

“Shumica e individëve dhe palëve në këtë kontekst po mundohen t’i zgjidhin [konfliktet] duke marrë ligjin në duart e tyre”, tha Genc Xërxa, sociolog.

Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, në Kosovë janë evidentuar 17 raste të vrasjeve. Në Kosovë, sipas statistikave, ekziston një numër i konsiderueshëm i armëve legale, ndërsa hulumtimet e publikuara vitin e kaluar tregojnë se brenda një viti hyjnë rreth 1.300 armë të reja.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh masa të ashpra ndëshkimore për veprat penale që lidhen me armët. Kushdo që në mënyrë të kundërligjshme importon, eksporton, blen, furnizon, transporton, prodhon ose shet armë, apo ndërmjetëson në tregtimin e tyre, mund të dënohet me gjobë deri në 7500 euro dhe me burgim nga një deri në tetë vjet. Nëse vepra përfshin më shumë se katër armë ose 400 fishekë, dënimi parashihet të jetë nga një deri në dhjetë vjet burgim.

Të Ngjashme