Lajme

Arrestimi i Vlora Hysenit, Lala: Dosja mund të hetohet për një vit, në lojë siguria kombëtare

Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar në emisionin “Zonë e Lirë” hetimet e SPAK ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, e cila është vendosur në arrest shtëpiak ndërsa ishte ende në detyrë.

Sipas Lalës, hetimet mund të zgjasin deri në një vit, duke pasur parasysh natyrën e akuzave që lidhen me Ergys Agasin, i cili dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal.Gazetarja e cilësoi çështjen si shqetësuese për shkak të funksionit që Hyseni mbante në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe rëndësisë së komunikimeve të dyshuara mes saj dhe Agasit, në një periudhë kur ky i fundit ishte në kërkim.“Ish-shefja e SHISH pritet të dalë në Apelin e Posaçëm. SPAK po vijon hetimet. Bëhet fjalë për një rast që prek sigurinë kombëtare, me një operacion të koordinuar me partnerë ndërkombëtarë. Ka të bëjë me trafikun e drogës dhe terrorizmin”, u shpreh Lala.

Ajo theksoi se rasti ngre pikëpyetje të rëndësishme për sigurinë kombëtare, ndërsa hetimet e Prokurorisë së Posaçme pritet të zbardhin rrethanat dhe përmbajtjen e komunikimeve të dyshuara.

Të Ngjashme