Në 27-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), deputeti i këtij subjekti, Enver Hoxhaj, ka kujtuar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, të cilët po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi, Hoxhaj ka uruar përvjetorin e partisë, duke theksuar rolin e UÇK-së në çlirimin e Kosovës dhe të PDK-së në procesin e shtetformimit.
Ai ka thënë se në këtë ditë mendimet dhe urimet e tij janë edhe për ish-bashkëpunëtorët që ndodhen në Hagë, me të cilët, sipas tij, ka ndarë angazhimin për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të njohur ndërkombëtarisht.
“Sot, mendjen dhe urimin e kam edhe në Hagë, te Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. Me ta kemi punuar për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të njohur në botë. Jam krenar për rrugën që kemi bërë bashkë dhe qëndroj pranë tyre me të njëjtën bindje”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka shtuar se historia e Kosovës është e lidhur me përpjekjet për çlirim dhe shtetndërtim, duke theksuar: “UÇK-ja solli çlirimin, PDK-ja i priu shtetformimit. Këtë histori e kemi jetuar dhe nuk e rishkruan asnjë gjykatë!”
Hoxhaj ka kujtuar gjithashtu aktivistët, bashkëpunëtorët dhe familjet që, sipas tij, kanë kontribuar në rrugëtimin e PDK-së, duke i falënderuar për mbështetjen dhe besimin ndër vite.
Në fund, deputeti ka përcjellë urimet për të gjithë anëtarët dhe përkrahësit e partisë me rastin e 27-vjetorit të themelimit të saj./teve1.info/
