Lajme

Arrestimi i Vlora Hysenit, Rama godet SPAK: Masë ekstreme, partnerët u shokuan nga publikimi i të dhënave

Mesazhi i kryeministrit vjen pas hetimeve të SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete Ergys Agasit, i arrestuar me urdhër të SPAK-ut, sa i takon hetimeve të kryera lidhur me dosjen ‘AKSHI’…

Kryeministri Edi Rama e konsideroi një masë ekstreme atë të vendosur nga SPAK dhe GJKKO, ndaj ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni, por theksoi se nuk ka ndërmend të hyjë as në përmbajtjen e dosjes dhe as në provat që kanë organet e drejtësisë.

Rama theksoi se çështja duhet të hetohet deri në fund, ndërsa shtoi se nuk është hera e parë që drejtuesi i një shërbimi sekret përballet me drejtësinë, por është hera e parë që Shërbimi Informativ i Shtetit u bë target i sulmeve dhe ekspozimeve.

“Nuk është hera e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por e para që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh mediatike për shkak të mosmarrjes së atyre masave që shtetet marrin.

Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Mbrojtja e SHISH dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e gjithë shtetit.

Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet si ndarje nga mbikëqyrja shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Besoj se Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale”, tha Rama.

Madje Kryeministri u shpreh se partnerët e SHISH-it dhe Shqipërisë, janë shokuar nga publikimi i të dhënave në media dhe ekspozimi që iu bë të dhënave të dosjes në atë që Rama i cilësoi si “tezga mediatike”.

Rama u shpreh se emërimi i Vlora Hysenit në krye të SHISH u bë pas vlerësimeve maksimale që ai kishte marrë nga partnerët për punën e saj të shkëlqyer.

“Sapo jam kthyer nga New York ku siç e dini përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë.

Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm”, tha Rama.

Mesazhi i kryeministrit vjen pas hetimeve të SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të SHISH-it, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete Ergys Agasit, i arrestuar me urdhër të SPAK-ut, sa i takon hetimeve të kryera lidhur me dosjen ‘AKSHI’.

“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinione dhe as në foltoren e Kryeministrit.

Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.

Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur.

Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.

Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre”, tha Rama.

Por Kryeministri zgjodhi të japë disa këshilla edhe për drejtësinë, në rastin konkret ndaj SPAK-ut.

“Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e sipërmarrjes apo krimit pa adresuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e drejtësisë s’mund të shfaqet si shkëputje nga Kushtetuta dhe shpërfillje.

Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë, media të zbulojë dhe informojë, por askush s’ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor dhe ta dehumanizojë. Shteti ligjor ndërtohet me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe sigurinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton. Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së SHISH, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se kjo cështje nuk tregon se qeverisjen e tij e ka mbytur korrupsioni, përkundrazi provon se po luftohet dhe drejtësia po mbështetet pavarësisht kostove.

“Nuk kam asnjë gjë tjetër për të shtuar por tani kam ende për të thënë për kuptimin politik të këtij zhvillimi pasi edhe këtë herë u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë kundër qeverisë dhe meje personalisht, me refrenin e shfrenuar “na mbyti korrupsioni”.

Pavarësisht bindjeve dhe kahjes së votës, fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, anëtarë të qeverisë e bashkëpunëtore nuk provon se na mbyti korrupsioni apo se po shtohet. Përkundrazi. Faktet se në episodet e këtij kapituylli të ri për Shqipërinë nuk provon asesi që shumica qeverisësae është e korruptuar.

Ky fakt, këto episode, kjo drejtësi e re, ku kurrë më parë nuk ka pasur një lloj drejtësie të pavarur, ku s’ka pasur kurrë një udhëheqje politike e interesuar për ti dhënë pavarësi apo forcë politike për ta mbështetur atë duke marrë përsipër kostot, provojnë të kundërtën e avazit që na mbyti korrupsioni. Korrupsioni po goditet nuk po rritet.

Shumica e qeverisëse është e palëkundur në luftën kundër korrupsiopnit mbi të gjitha brenda rradhëve të saj. Jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reforma qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi kundër korrupsioni i organeve të drejtësisë”, tha Rama

Të Ngjashme