Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të ndërmarra, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Mitrovicën e Jugut, gjatë ditës së sotme kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë dy persona të dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar dhe marrje në posedim të pasurisë së luajtshme.
Arrestimi i dy të dyshuarve të mitur, është bërë mbi bazën e dyshimeve dhe provave të siguruara se më 24 tetor 2026, në Skenderaj, ata, në cilësinë e drejtuesit dhe pasagjerit, fillimisht kishin marrë një veturë në mënyrë të kundërligjshme, më pas të dyshuarit janë vërejtur nga njësitet policore, pasi drejtuesi i veturës me targa vendore po bënte vozitje të rrezikshme.
“Gjatë përpjekjes së zyrtarëve policorë për ta ndaluar veturën, drejtuesi i saj ka goditur veturën zyrtare të Policisë, duke e nxjerrë nga rruga dhe duke bërë që ajo të përplasej me një shtyllë elektrike. Si pasojë e këtij incidenti, dy zyrtarë policorë të cilët ndodheshin në veturën zyrtare, kanë pësuar lëndime dhe kanë pranuar tretman mjekësor. Vetura e dyshuar është gjetur e aksidentuar dhe e braktisur në njërin nga fshatrat e Skenderajt. Dy të dyshuarit e mitur janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore dhe me aktvendim të prokurorit kompetent, janë liruar për t’u proceduar në procedurë të rregullt. Ndaj të dyshuarit shoferit janë iniciuar raste për veprat penale -Sulm ndaj personit zyrtar dhe Marrje në posedim të pasurisë së luajtshme”, shkruhet nw njoftimin e Policisë së Kosovës.
