Lajme

Arrestohen në Angli 6 shqiptarë të kërkuar në Austri, Itali, Greqi dhe Luksemburg (EMRAT)

Gjashtë shqiptarë që i fshiheshin drejtësive të disa vendeve europiane janë prangosur për qëllim ekstradimi në Angli.

Të dhënat e gjykatës së ekstradimeve City of Westminster Magistrates’ Court në Londër, të disponuara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, tregojnë se shqiptarët, të cilët kishin zgjedhur si vend fshehjeje Anglinë, kishin kartela të kuqe kërkimi në Austri, Itali, Greqi dhe Luksemburg.

Pjetër Lusha, 35 vjeç, është arrestuar në Angli pasi Austria kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, pasi ai akuzohet për trafik të lëndëve narkotike. Seanca e radhës e procesit të ekstradimit ndaj tij do të zhvillohet më 6 nëntor 2026.

Korado Memushaj, 46 vjeç, është arrestuar në West Yorkshire. Ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për trafik droge. Memushaj është duke i ndjekur seancat e ekstradimit i lirë me kusht, pasi të afërmit vendosën një garanci pasurore prej 33 mijë stërlinash. Ai do të paraqitet në gjykatën e ekstradimeve më 15 mars 2027.

Lirim Nela është një tjetër shqiptar i prangosur në Angli, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane. Sipas të dhënave të procesit të ekstradimit, Nela, 38 vjeç, kërkohet si i akuzuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike.

Edhe Armando Likaj, 31 vjeç, është prangosur në Angli pas një urdhri ndërkombëtar arresti të lëshuar nga Italia për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës.

Semir Toli, i cili në Angli përdorte emrin Sajmir Berisha, është arrestuar në Wellingborough si i kërkuar në Greqi. Ndaj 46-vjeçarit shqiptar rëndon akuza e trafikut të drogës. Seanca e radhës e procesit të ekstradimit është parashikuar më 12 shkurt 2027. Ai është lënë i lirë me kusht pas vendosjes së një garancie pasurore prej 45.000 stërlinash dhe vendosjes në këmbë të një pajisjeje monitorimi GPS.

Anton Nikolli, 45 vjeç, është një tjetër shqiptar i cili doli përpara gjykatës së ekstradimeve në Londër, i kërkuar nga Luksemburgu për 6 grabitje shtëpish, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe pastrim parash. Ai u arrestua në qytetin Salford./Top Channel

Të Ngjashme