Lajme

Arrestohen pesë të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me prona në Ferizaj

Pesë persona janë ndaluar nën dyshimin se janë të përfshirë në falsifikim dokumentesh dhe vepra të tjera penale, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia në disa rajone të vendit.

Sipas njoftimit policor, pas hetimeve që kanë zgjatur disa muaj dhe në bazë të një urdhri gjyqësor, janë realizuar kontrolle në tri lokacione të ndryshme në rajonet e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës, në bashkëpunim me prokurorinë dhe njësitë përkatëse.

Gjatë bastisjeve janë arrestuar pesë persona të dyshuar, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë falsifikuar dokumente duke u paraqitur si pronarë të disa parcelave në një fshat të Ferizajt.

Policia ka bërë të ditur se njëri nga të dyshuarit hetohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa katër të tjerët për “falsifikim dokumentesh”, “legalizim të përmbajtjes së rreme” si dhe “blerje, pranim apo fshehje të sendeve të përfituara me vepër penale”.

Gjatë operacionit janë sekuestruar prova të ndryshme, përfshirë dokumente dhe fotografi, të cilat pritet të shërbejnë në procedurat e mëtejshme hetimore.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve të tyre mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë./teve1.info/

Të Ngjashme