Tre persona janë arrestuar në Mitrovicën e Jugut, nën dyshimin se janë përfshirë në dy raste të vjedhjes së rëndë në hapësirat e ndërmarrjes SHA “Trepça”.
Policia e Kosovës ka njoftuar se hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, pas një pune hetimore dhe sigurimit të provave e dëshmive relevante, kanë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuarit.
Në kuadër të hetimeve janë realizuar bastisje në disa lokacione, gjatë të cilave janë sekuestruar një automjet me rimorkio dhe prova të tjera materiale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Sipas Policisë, nga hetimet dhe provat e siguruara dyshohet se tre të arrestuarit, në bashkëveprim, kanë kryer dy raste të vjedhjes së rëndë disa muaj më parë në hapësirat e “Trepçës” në Mitrovicë.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit kompetent, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
