Është arrestuar mbrëmjen e të martës në Kosovë, biznesmeni 49-vjeçar shkodran Ardit Kraja, i njohur si një prej “bosëve” të lojërave të fatit në Shqipëri, ku ka qenë pronar i kompanisë “Superbast”.
Ai është ndaluar në pikën kufitare në Vërmicë dhe pas verifikimit ka rezultuar se ndaj tij ishin lëshuar dy urdhër-arreste të lëshuara nga dy gjykata në Kosovë. Më konkretisht nga Gjykata Themelore në Prizren dhe Gjykata Themelore në Mitrovicë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Pas ndalimit, ndaj biznesmenit Kraja, Gjykata e Mitrovicës vendosi urdhër-arresti për 48 orë deri në momentin kur të dalë para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
“Gazeta Insajderi”, duke iu referuar burimeve të afërta me hetimin që po kryhet kundër Ardi Krajës ka mësuar se ai ka një rast të ngritur në Suharekë, ku dyshohet se kreu veprimtari ilegale “organizim i jashtëligjshëm i bixhozit”, që bie në përgjegjësi të Gjykatës së Prizrenit, dhe një rast në Mitrovicë që bie nën përgjegjësinë respektive të Gjykatës Themelore në këtë qytet. Për të dyja rastet ka pasur urdhër kundër Krajës nga të dyja gjykatat.
Këto burime i kanë thënë medias kosovare se Ardit Kraja, tek shtetasit e Kosovës, por jo vetë, e jepte programin online, duke përfshirë linkun dhe kodet e operimit, dhe madje edhe investonte në bizneset e tyre. Ardit Kraja, punëtorët e këtij krimi në Kosovë do t’i merrte në përgjegjësi në rast humbjeve- pra nëse një lojtar fitonte, humbjen e merrte përsipër Kraja, ndërsa në rast se lojtarët humbisni, 60 përqind të fitimit e merrte Kraja.
Sipas këtyre burimeve, ky ka qenë njëri prej ofruesve të këtij shërbimi për bixhoz në Kosovë, i cili prej disa vitesh është komplet i paligjshëm në vend, ndërsa nuk ka qenë i vetmi, pasi ka edhe ofrues të tjerë të programit, linkut e kodeve për lojtarët e bixhozit në Kosovë që e bëjnë këtë veprimtari online.
Burimi: Top channel