Policia ka arrestuar në veri të Mitrovicës një person të kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, i cili ishte dënuar me 7 muaj burgim efektiv për veprën penale “Vjedhje në tentativë”.
Sipas Policisë, më 9 shtator 2026, në Stacionin Policor Mitrovicë Veri është paraqitur personi H.B., i lindur në vitin 2001.
Ai paraprakisht ishte kërkuar në vendbanimin e tij, pasi Policia kishte pranuar informacione nga qytetarët se ndodhej në territorin e Republikës së Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, personi është shoqëruar dhe dërguar në vuajtje të dënimit, në përputhje me urdhër-arrestin e gjykatës.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe i ka ftuar që të raportojnë çdo informacion për persona të kërkuar në numrin 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.
Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e urdhëresave të gjykatave ndaj personave të kërkuar.
