Policia thotë se i dyshuari u kap në flagrancë duke pranuar para nga viktima si interes të fajdesë. Dyshohet se përmes presionit i shkaktoi viktimës dëme të konsiderueshme materiale.
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në veprat penale të fajdesë dhe detyrimit.
Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet L. K.
I dyshuari është arrestuar në flagrancë, në momentin kur dyshohet se po pranonte para nga viktima si interes të fajdesë.
“ I dyshuari, në vazhdimësi ka ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e ‘fajdesë’, duke e detyruar viktimën të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke i shkaktuar me këtë rast dëme të konsiderueshme materiale viktimës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa i dyshuari ngarkohet me dyshimet për fajde dhe detyrim.
