Lajme

ARRSH 2 mld lekë për zgjerimin e Tiranë-Durrës! Shtohen dy korsi, një për emergjencat

Autostrada Tiranë- Durrës tashmë do të zgjerohet me nga dy korsi në të dyja krahët me qëllim shmangien e trafikut kilometrik në këtë segment dhe emergjencat.

Sipas projektit të ARRSH për vitin 2024, njëra korsi në secilin nga dy senset do të jetë për përdorimin e emergjencave ndërsa tjetra për qarkullimin e automjeteve të tjera. Zgjerimi i autostradës pritet të nisë në tremujorin e parë të 2024 dhe do të shtrihet si fillim nga kthesa e Kamzës për të vijuar më pas në nyjen e Kasharit.

Një zëdhënës nga drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve nga ARRSH, Ilir Belba tregon më shumë detaje nga projekti, duke thënë se është parashikuar një shpenzim prej dy miliardë lekësh për zhvillimin e punimeve.

“Zgjerimi i autostradës sipas ARRSH pritet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2024. Projekti do të shtrihet si fillim nga kthesa e Kamzës për të vijuar në nyjen e Kasharit. Është parashikuar në buxhetin e ARSH një shumë prej 2 mld lekësh. Gjerësia e autostradës është 18,6 metra, me zgjerimin do bëhet me 35,1 metër gjerësi.

Zgjerimi i rrugës në lotin e parë nuk do të prekë asnjë ndërtesë dhe as rrugët dytësore. Tek loti i parë, zgjerimi do bëhet përgjatë rrugës ekzistuese e cila nuk prek ndonjë objekt… Zgjerimi do bëhet te kanali ekzistues. Zgjerimi për pjesën tjetër të autostradës nga kthesa e Rinasit në Durrës dhe anasjelltas parashikohet të ndodhë pas vitit 2025.

Pas përfundimit të lotit të parë në varësi të projekbuxhetit do nisin lotet e tjera. Bashkë me shtimin e korsive nga kthesa e Kamzës te kthesa e Kasharit, do të bëhet edhe riasfaltim i rrugës ekzistuese”, deklaroi Belba