Të njohur për bishtin e tyre të sheshtë dhe aftësinë për të prerë pemë me dhëmbë, kastorët konsiderohen arkitektët e natyrës. Shumica e njerëzve dinë se ata ndërtojnë diga, por jo gjithmonë arsyen pse.
Kastorët ndërtojnë diga për të krijuar një zonë të sigurt, të mbrojtur nga grabitqarët. Megjithatë, ndryshe nga sa besohet shpesh, ata nuk jetojnë brenda digave. Digat janë thjesht një mënyrë për të krijuar një habitat ideal. Duke ngadalësuar rrjedhën e ujit, kastorët krijojnë pellgje të thella ku mund të fshihen dhe të jetojnë më të sigurt.
Kastori është brejtësi më i madh në Amerikën e Veriut dhe i dyti më i madh në botë pas kapibarës. Dhëmbët e tyre të përparmë rriten vazhdimisht, prandaj ata duhet të kafshojnë dhe presin vazhdimisht dru. Trupi i tyre është përshtatur si për jetën në tokë ashtu edhe në ujë. Ata kanë këmbë të pasme me membrana për not dhe bisht të gjerë që shërben si timon në ujë dhe si mjet ekuilibri në tokë. Kur ndihen të kërcënuar, godasin sipërfaqen e ujit me bisht për të trembur grabitqarët.
Në botë ekzistojnë dy lloje kastorësh: kastori i Amerikës së Veriut dhe kastori euroaziatik. Ata ushqehen me bimë, degë të buta, gjethe dhe bimë ujore. Degët e shelgut dhe plepit janë të preferuarat e tyre.
Kastorët ndërtojnë digat me degë, trungje pemësh, kallamishte dhe baltë. Me këto materiale krijojnë struktura pothuajse të papërshkueshme nga uji. Pasi krijojnë pellgun, ndërtojnë edhe “shtëpinë” e tyre, zakonisht në mes të ujit. Ajo ka hyrje nën ujë për t’i mbrojtur nga grabitqarët.
Këto kafshë kanë ndikim të madh në natyrë. Shkencëtarët i quajnë “inxhinierë të ekosistemit”, sepse ndryshojnë mjedisin dhe krijojnë habitate për shumë specie të tjera. Digat e kastorëve ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ujit, uljen e temperaturës së lumenjve dhe rritjen e biodiversitetit. Studime të ndryshme kanë treguar se ato ndihmojnë edhe peshq si salmoni dhe trofta, të cilët kanë nevojë për ujë të ftohtë për të mbijetuar. / Earth – Syri.net
