Protesta e thirrur nga studentët dhe qytetarët kundër qeverisë është zhvendosur pasditen e sotme në zonën e Zogut të Zi, pasi fillimisht u zhvillua në Rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit.
Dhjetëra të rinj marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke bllokuar përkohësisht qarkullimin e automjeteve në disa akse.
Situata është tensionuar në zonën e Zogut të Zi, ku një grup protestuesish tentuan të heqin kangjellat anës trotuareve, ndërsa disa kosha mbeturinash u përfshinë nga flakët.
Për shkak të protestës, qarkullimi i automjeteve në zonë u bllokua për një periudhë kohe, ndërsa në terren janë dislokuar forca të shumta policie për menaxhimin e situatës dhe garantimin e rendit publik.
Përmes megafonëve, efektivët u kanë bërë thirrje protestuesve të lirojnë rrugën dhe të mos pengojnë lëvizjen e automjeteve, duke kërkuar që tubimi të zhvillohet pa incidente.
Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar marshimin dhe thirrjet kundër qeverisë, duke kërkuar reagim ndaj kërkesave të tyre.
