Gazetari Artan Hoxha ka ngritur kritika ndaj mënyrës se si po trajtohen disa çështje hetimore nga SPAK, duke pretenduar se institucioni po merret më shumë me shpërndarjen e informacioneve në media sesa me hetimin e plotë të tyre.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Hoxha u shpreh se po publikohen detaje dhe identitete personash pa u sqaruar më parë roli i tyre në dosje, ndërsa informacione të tilla po shpërndahen më pas edhe në media.
Gazetari theksoi se prioritet duhet të jetë zbardhja e plotë e çështjeve dhe jo shpërndarja e copëzave të informacionit.
Ai tha se në materialet e publikuara përmendet edhe identifikimi i Alfred Hamzajt, duke pyetur pse përfshihen emra dhe detaje të tilla pa u dhënë më parë sqarime të plota.
Sipas Hoxhës, nëse këto informacione futen në dosje dhe më pas u shpërndahen mediave, lind pyetja nëse fokusi është hetimi apo publikimi i materialeve.
Gazetari theksoi gjithashtu se bëhet fjalë për një çështje me vlerë rreth 3 milionë euro, duke shtuar se ndërkohë persona të tjerë kanë përfunduar në burg për shkelje shumë më të vogla.
Ai kërkoi që organet e drejtësisë të veprojnë dhe të çojnë përpara hetimet, në vend që çështje të tilla të mbeten për një kohë të gjatë pa një përfundim të qartë.
Pjesë nga diskutimi
Artan Hoxha: …kemi Alfred Hamzaj dhe e jep dhe identifikimin aty.
Ylli Rakipi: Po ai vetë nuk del në bisedë?
Artan Hoxha: Po ja pra, po pikërisht pra këtë po them. Po pse futen këto dhe nuk i sqaron? Po i fute këto ti dhe pastaj ia shpërndan dhe mediave, ë, ia shpërndan dhe medias. Atëherë çfarë je duke bërë? Unë them heto, vepro, mos i gjej një… një procedim të 2021-shit.
Ylli Rakipi: Po meqë është dhe kjo koha e revolucionit ndoshta tani… ndoshta kërkohet ndonjë kokë…
Artan Hoxha 1: O Ylli, janë 3 milionë euro aty! Ylli, ka ikur tjetri në burg për dy arka peshku. Këtu janë 3 milionë euro.
Paradoksi i dosjeve të SPAK-ut/Rasti Balluku
Deklaratat e Artan Hoxhës rikthejnë në vëmendje debatin mbi mënyrën se si dalin në publik informacione nga dosje të ndryshme të SPAK-ut.
Ndërsa në raste të tjera detaje nga hetimet kanë gjetur rrugën drejt mediave përmes rrjedhjeve të vazhdueshme të informacionit, në rastin e ish ministers së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Ballukut institucioni ka këmbëngulur në ruajtjen e sekretit hetimor.
SPAK pretendon se në dosjet e depozituar në Kuvend ndodhen të dhëna që përbëjnë sekret hetimor dhe nuk duhet të bëhen publike.
Megjithatë, ngrihen pikëpyetje nëse i gjithë materiali i depozituar mund të konsiderohet sekret, apo vetëm pjesë të caktuara të tij. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një hetim që lidhet me dyshime për manipulim tenderësh dhe përdorim të fondeve publike, çështje që për nga natyra e tyre mbartin interes të lartë publik.
Pikërisht ky kontrast ushqen debatet për standardet që ndiqen në administrimin e dosjeve të ndjeshme: nga njëra anë publikohen fragmente hetimore për çështje të ndryshme, ndërsa nga ana tjetër kërkohet konfidencialitet maksimal për një dosje që ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm publik dhe politik.
