Shumë sende që përdorim çdo ditë në shtëpi, kanë një jetëgjatësi më të shkurtër nga sa mendojmë, sipas “Washington Post”.
Ekspertët e shëndetit publik dhe studiuesit theksojnë se zëvendësimi në kohë i tyre, është i rëndësishëm për higjienën, sigurinë dhe funksionimin normal të produkteve.
Nga furçat e dhëmbëve dhe sfungjerët e kuzhinës, te jastëkët dhe dyshekët, studimet kanë treguar se përdorimi i zgjatur i tyre, mund të favorizojë grumbullimin e baktereve, alergjenëve dhe mikroorganizmave të tjerë.
Furçat e dhëmbëve: Zëvendësimi çdo 3–4 muaj
Sipas Shoqatës Amerikane të Stomatologjisë (ADA), furçat e dhëmbëve duhet të ndërrohen çdo 3–4 muaj, ose më herët nëse fijet janë konsumuar.
Një furçë e dëmtuar humbet efektivitetin në largimin e pllakës bakteriale dhe në mbrojtjen e shëndetit të mishrave të dhëmbëve.
Një studim i Universitetit të Mançesterit në Britani të Madhe, ka treguar se furçat e dhëmbëve mund të mbajnë miliona mikroorganizma pas përdorimit.
Studiuesit theksojnë se shumica e tyre nuk janë domosdoshmërisht të rrezikshëm, por furçat duhet të zëvendësohen pas infeksioneve dhe të ruhen në kushte të thata për të kufizuar shumimin e mikrobeve.
Sfungjerët e kuzhinës: Ndër objektet me ngarkesën më të lartë bakteriale
Sfungjerët e kuzhinës janë ndër sendet, që kërkojnë zëvendësim më të shpeshtë.
Një studim i kryer nga Universiteti Furtwangen-it në Gjermani, i publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports”, theksoi rrezikun e sfungjerëve të përdorur në kuzhina.
Studiuesit identifikuan 362 lloje bakteresh, dhe zbuluan se pastrimi i sfungjerëve nuk eliminon gjithmonë mikroorganizmat dhe rekomanduan zëvendësimin e rregullt të tyre.
Jastëkët: Burim i mundshëm i alergjenëve
Jastëkët mund të grumbullojnë me kalimin e kohës marimanga pluhuri, qeliza të vdekura të lëkurës dhe alergjenë.
Studiues të Universitetit të Mançesterit kanë analizuar përbërjen e jastëkëve të përdorur dhe kanë treguar se ato mund të përmbajnë elementë, që ndikojnë te personat me alergji ose probleme të frymëmarrjes.
Ekspertët rekomandojnë që jastëkët të zëvendësohen zakonisht çdo 1–2 vjet, në varësi të cilësisë, përdorimit dhe gjendjes së tyre.
Dyshekët: Ndikim në gjumë dhe shëndetin fizik
Një studim i kryer në Universitetin e Oklahomës në SHBA ka analizuar ndikimin e dyshekëve të vjetër në cilësinë e gjumit.
Studiuesit vunë re se dyshekët që përdoren për periudha të gjata, mund të grumbullojnë pluhur, alergjenë dhe mikroorganizma, ndërsa zëvendësimi i tyre mund të përmirësojë komoditetin dhe cilësinë e gjumit te disa persona.
Peshqirët: Lagështia krijon kushte për bakteret
Sipas Institutit Amerikan të Pastrimit (ACI), peshqirët e banjës duhet të lahen pas rreth 3–4 përdorimesh, pasi ambienti i lagësht favorizon shumimin e baktereve dhe mykut.
Larja e rregullt dhe tharja e plotë janë ndër masat kryesore për të ulur ngarkesën mikrobiale.
Dërrasat e prerjes: Rreziku i kontaminimit ushqimor
Studime dhe udhëzime të Departamentit të Bujqësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USDA), tregojnë se dërrasat e prerjes me çarje të thella, mund të jenë më të vështira për t’u pastruar dhe mund të mbajnë mbetje ushqimore e mikroorganizma.
Ekspertët rekomandojnë zëvendësimin e dërrasave kur ato dëmtohen ndjeshëm, veçanërisht nëse çarjet nuk mund të pastrohen plotësisht.
