ShowBizzz

Artisti rumun i hip-hopit akuzohet se po ua prish mendjen të rinjve

Një reper rumun e ka nxitur një vorbull të zemërimit moral – dhe ka fituar pakëz përkrahje njëkohësisht – pasi adoleshentët i kënduan bashkë me të vargjet me përmbajtje gangsterizmi dhe tërbimi në një festival muzike në Transilvani.

Gheboasa, një artist 21-vjeçar i muzikës hip-hop, emri i vërtetë i të cilit është Gabriel Gavris, përformoi në festivalin katërditor të muzikës elektronike në Cluj-Napoca më 4 gusht.

Pas një zemërimi të madh në rrjetet sociale rumune dhe një debati të ashpër në media mbi kulturën për disa ditë më radhë, Gheboasa u dënua me gjobë për përdorimin e një gjuhe e cila e prishi paqen dhe e fyeu publikun. Ai thotë se do të ankohet ndaj vendimit.

Zemërimi publik ka të bëjë kryesisht me mizogjininë e perceptuar, lartësimin e dhunës dhe drogës, si dhe racizmin e stereotipat etnike – të cilat janë çështje që e kanë kapluar botën e hip-hopit dhe muzikës rep të mbizotëruar nga meshkujt për dekada.

Reagimet e ashpra bënë që Gheboasa të gjobitej më 222 dollarë më 8 gusht, për “fyerje të mëdha, shprehje fyese apo vulgare, që kanë mundësi ta pengojnë rendin publik dhe paqen, apo të nxisin zemërim mes qytetarëve, apo ta fyejnë dinjitetin ose nderin e tyre”.

Policia e Cluj-Napoca i kërkoi, po ashtu, Këshillit Kombëtar për Luftimin e Diskriminimit që: “ta analizojë paraqitjen e Gheboasas, fjalët dhe shprehjet e përdorura nga ai, për të parë nëse ka pasur shkelje diskriminuese apo anti-shoqërore”./rel