Shëndetësi

Asfalti i nxehtë lëshon kimikate toksike në ajër, ngrihen shqetësime të reja për shëndetin publik

Kudo asfalti duket aq i zakonshëm sa mezi vihet re. Ai është gjithandej, nën rrota makinash, karroca dyqanesh dhe nën vapën e gjatë të verës. Por studimet e fundit tregojnë se asfalti nuk vetëm që e bën qytetin më të nxehtë, por mund të lëshojë edhe kimikate në ajrin që njerëzit thithin çdo ditë, sidomos aty ku rrugët dhe parkingjet ekspozohen për muaj të tërë ndaj diellit.

Studiuesja Elham Fini nga Arizona StateUniversity ka analizuar për vite me radhë mënyrën si asfalti degradohet dhe çfarë lëshon me kalimin e kohës. Sipas saj, debati për asfaltin nuk duhet të kufizohet vetëm te klima, por edhe te shëndeti.Ky material thith nxehtësinë gjatë ditës dhe e lëshon natën, duke rritur efektin e “ishullit të nxehtësisë urbane”. Por problemi nuk ndalet këtu.

Asfalti përmban bitum, një material nafte që lëshon komponime organike të paqëndrueshme (VOCs). Këto emetime ndodhin vazhdimisht, jo vetëm gjatë ndërtimit. Në ditët e nxehta ato bëhen më të dukshme për shkak të erës karakteristike. Studimet tregojnë se këto kimikate mund të ndryshojnë pas perëndimit të diellit dhe të formojnë grimca shumë të imta që përkeqësojnë cilësinë e ajrit.

Në afat të shkurtër, këto avuj mund të shkaktojnë marramendje dhe probleme me frymëmarrjen, veçanërisht për punëtorët e ndërtimit që ekspozohen çdo ditë. Në afat të gjatë, rreziku është më i madh, pasi ekspozimi lidhet me rritjen e mundësisë për kancer në mushkëri.

Rreziku rritet edhe më shumë me kalimin e kohës. Asfalti i vjetër, i dëmtuar nga dielli dhe nxehtësia, lëshon kimikate edhe më toksike, shpesh pa erë, çka e bën rrezikun më të vështirë për t’u dalluar. Këto grimca mund të depërtojnë në organe dhe të shkaktojnë dëmtime neurologjike, sidomos te gratë dhe të moshuarit.

Për të gjetur zgjidhje, Fini po punon me shkencëtarë të tjerë për të përdorur alga të rritura në ujëra të ndotura për prodhimin e një materiali alternativ. Kur përzihet me asfaltin, ky material ul ndjeshëm toksicitetin e emetimeve dhe mund të zgjasë jetën e rrugëve.

Problemi është se këto ndotje shpesh nuk maten në analizat standarde të ajrit, ndaj kalojnë pa u vënë re. Megjithatë, ato ndikojnë në temperaturën e qytetit, cilësinë e ajrit dhe shëndetin e njerëzve.

Asfalti mund të duket i zakonshëm, por në të vërtetë ka një ndikim të madh. Siç thekson Fini, miliona kilometra rrugë duhet të bëjnë më shumë sesa thjesht të na çojnë nga pika A në pikën B, ato duhet të jenë edhe të sigurta për shëndetin tonë./ Earth – Syri.net

Të Ngjashme