Lajme

“Askush nuk të merr seriozisht”, “Trajtoheshim si lopë”, përplasje mes Çitakut e Gërvallës – deklarohen nga partia e kryediplomates

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe kryediplomaten Donika Gërvalla, se po i përdorin ambasadat për siç u shpreh ajo, qëllime partiake e fushatë elektorale.

Sipas saj, kjo sjellje e qeverisë nuk është vetëm zhgënjyese, por siç u shpreh, është e papranueshme dhe e turpshme.

Çitaku ka thënë se në fushatën e tyre, Gërvalla e Kurti po e kalojnë çdo kufi, duke ushtruar sipas saj, presion ndaj diplomatëve të Kosovës nëpër botë, duke i detyruar që të organizojnë takime fushate nën petkun e punës shtetërore.

“Diplomatët, të cilët duhet t’i shërbejnë çdo qytetari me dinjitet dhe paanshmëri, po detyrohen të organizojnë takime partiake, duke keqpërdorur detyrën zyrtare dhe burimet shtetërore. Ky manipulim i pushtetit është një abuzim i mirëfilltë. Prandaj sot, u bëj thirrje çdo diplomati që përfaqëson Republikën e Kosovës: Të mos i nënshtrohen këtij abuzimi”, ka thënë ajo.

Ajo ka shkuar më tej, duke theksuar se Gërvallën nuk e merr askush seriozisht.

Një kundërpërgjigje për këtë deklaratë, asaj i ka ardhur nga anëtari i Kryesisë së partisë “Guxo”, Luan Gacaferi, përcjell Bota sot.

Sipas tij, tani mërgimtarët trajtohen si klientë, e jo si “lopë” si në kohën e PDK-së.

“Se sa seriozisht merret zonja e hekurt e Kosovës Donika Gërvalla e tregojnë mbi 72 mijë vota të shqiptarëve!

Se sa seriozisht merret zonja e hekurt e Kosovës, Donika Gërvalla e tregon pritja që na bëhet sot nëpër ambasada e kosnsullat e Kosovës nëpër botë, është hera e parë qe ne shqiptarët që jetojmë e punojmë jashtë Kosovës trajtohemi si klientë, e jo si lopë si në kohën tuaj!”, ka shkruar Gacaferi në Facebook.