Lajme

Associated Press zbulon arsyet e shtyrjes së Samitit të NATO-s në Tiranë/ Çfarë nuk shkoi me Shqipërinë dhe tensionet brenda aleancës

Associated Press (AP) ka zbardhur disa nga arsyet që kanë ndikuar në shtyrjen e samitit të NATO-s, i cili ishte planifikuar të mbahej në Shqipëri gjatë vitit 2027. Sipas analizës së agjencisë amerikane, përveç riorganizimit të takimeve të aleancës, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe rezervat e disa vendeve anëtare për nivelin e shpenzimeve të Shqipërisë në mbrojtje, si dhe tensionet politike mes aleatëve.

Në raportimin e saj, AP thekson se Shqipëria ishte përcaktuar në vitin 2025 si vendi pritës i samitit të ardhshëm pas atij të Turqisë. Megjithatë, emri i Tiranës u hoq nga deklarata e miratuar në samitin e korrikut, duke ngritur pikëpyetje për realizimin e këtij organizimi.

Sipas agjencisë amerikane, disa vende anëtare kanë shprehur shqetësime se Shqipëria nuk po shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen dhe kanë hezituar ta shpërblejnë vendin me organizimin e aktivitetit më të rëndësishëm të aleancës.

Qeveria shqiptare parashikohet të shpenzojë këtë vit 2.15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Ndërkohë, objektivi i NATO-s është që deri në vitin 2035 vendet anëtare të arrijnë 3.5% të PBB-së për mbrojtjen bazë dhe 1.5% shtesë për infrastrukturën që lidhet me sigurinë.

Megjithatë, AP vëren se Shqipëria nuk është vendi me shpenzimet më të ulëta në raport me objektivat e aleancës. Spanja, Belgjika dhe Sllovenia janë edhe më larg përmbushjes së tyre.

Një pjesë e rëndësishme e analizës së AP i kushtohet edhe përplasjeve brenda aleancës, veçanërisht marrëdhënieve mes administratës amerikane dhe vendeve evropiane.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio, kanë munguar në disa takime të NATO-s ose janë larguar përpara përfundimit të diskutimeve që prej marrjes së detyrave.

Hegseth ka përdorur mbledhjet ministrore për të kritikuar aleatët evropianë dhe Kanadanë lidhur me angazhimet e tyre financiare dhe ushtarake.

Në këtë klimë, NATO po shqyrton edhe reduktimin e takimeve të nivelit të lartë. Ministrat e Mbrojtjes nuk u mblodhën në tetor të këtij viti dhe nuk kanë një takim të planifikuar për të njëjtin muaj të vitit 2027. Edhe ministrat e Jashtëm do të zhvillojnë vetëm një mbledhje vitin e ardhshëm, në vend të dy takimeve të zakonshme.

Këto ndryshime janë pjesë e paketës së riorganizimit të aleancës.

AP sjell në vëmendje edhe kostot e mëdha dhe përgatitjet e nevojshme për organizimin e një samiti të NATO-s.

Për takimin e vitit 2025 në Hagë, Holanda iu desh të përgatitej për rreth një vit dhe të investonte afërsisht 100 milionë dollarë.

Sipas zyrtarëve, NATO duhej të merrte një vendim përfundimtar për organizimin në Shqipëri deri në tetor, në mënyrë që vendi të kishte kohën e mjaftueshme për përgatitjet e vitit 2027.

Edhe samiti i fundit në Ankara kërkoi një angazhim të jashtëzakonshëm. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vuri në dispozicion kompleksin e tij presidencial, u rikonstruktua një aeroport ushtarak për mbërritjen e liderëve dhe u angazhuan dhjetëra mijëra punonjës të sigurisë. Një pjesë e punonjësve publikë që nuk kryenin shërbime të domosdoshme u lanë pushim për një javë.

Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte theksoi se organizimi i një aktiviteti të tillë kërkon masa të mëdha sigurie dhe shpenzime të konsiderueshme, pasi përfshin 32 vendet anëtare, shtetet partnere dhe vende të Indo-Paqësorit, si Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re.

Kryeministri Edi Rama deklaroi më herët se nuk ekziston ende një qëndrim i përbashkët për datën e samitit, duke konfirmuar se ai nuk do të mbahet në vitin 2027.

“Në vitin 2028, nëse do të ketë një samit, ai do të mbahet në Tiranë”, u shpreh kreu i qeverisë.

Nga ana e tij, Mark Rutte u përpoq të minimizonte rëndësinë e shtyrjes, duke deklaruar për Associated Press: “Ne jemi fleksibël me samitet e NATO-s. I zhvillojmë ato kur kemi nevojë”.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar tensionet në takimet e fundit të aleancës. Në samitin e Ankarasë ai riktheu pretendimet për marrjen nën kontroll të Groenlandës, territor autonom i Danimarkës, dhe kërkoi besnikëri nga aleatët, duke i kritikuar për mungesën e mbështetjes ndaj luftës së tij kundër Iranit.

Në analizën e saj, AP citon edhe David Cattler, studiues të lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane dhe ish-zyrtar të lartë të inteligjencës së NATO-s.

Sipas tij, nëse nuk ekzistojnë çështje që kërkojnë mbledhjen e 32 liderëve, atëherë mund të mos ketë arsye për organizimin e një samiti të ri.

“​​Mund të kalojnë dy, madje edhe tre vjet”, është shprehur Cattler.

Megjithatë, NATO ruan mundësinë për të mbledhur liderët edhe në raste emergjente. Një precedent i tillë ishte shënuar në shkurt të vitit 2022, pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës, kur aleanca organizoi për herë të parë një samit virtual.

Për momentin, Shqipëria mbetet në pritje të një vendimi përfundimtar. Nëse NATO vendos të organizojë samitin e ardhshëm në vitin 2028, Tirana është qyteti i parashikuar për ta pritur atë.

Të Ngjashme