Nga Mynihu i Gjermanisë, ku po zhvillohen punimet e Konferencës së Sigurisë kryeministri, Edi Rama ka ritheksuar se Shqipëria duhet të bëjë detyrat e shtëpisë pastaj të mendojë për një datë për integrimin drejt Bashkimit Europian.
“Unë mendoj, pikë së pari, që nuk duhet të mendojmë asnjë datë, nuk duhet të mbajmë data në mendje, sepse kam kaluar një traumë me këto data, organizime dasmash, çdo gjë ishte e caktuar, por nusja nuk erdhi kurrë. Na erdhi vetëm një letër që ishte raporti i progresit, ku thuhej iu dashurojmë, por vazhdoni të punoni sepse nuk jemi ende gati të flasim. Asnjë datë. Nuk ka të bëjë me ta, ka të bëjmë me ne. Asnjë nxitim. Negociatat janë transferimi më produktiv, i jashtëzakonshëm i njohurive që një vend mund të marrë për t’u shndërruar me institucione funksionale. Nuk duhet të nxitojmë, duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë. T’i bëjmë vendet tona njësoj si vendet anëtare”, tha Rama, teksa më tej theksoi se Shqipëria në këtë rrugëtim u bllokua për shkak të mosmarrëveshjes së Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
“Shpresoj që të jemi tashmë të shkëputur nga Maqedonia e Veriut, sepse herën e fundit që ishim në çift, nuk na lejuan të hidhnim asnjë hap tjetër, për shkak të një situate që nuk lidhej me Shqipërinë, por me një vend tjetër, Bullgarinë”, shtoi Rama ndër të tjera, duke u ndalur më pas edhe te çështja me Greqinë.
I pyetur nga gazetarët se nëse mendon se Greqia do të jetë pengesë për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, kreu i qeverisë tha se nuk ndodhet në Gjermani për të shqetësuar miqtë grekë, të cilët sipas kryeministrit e ndjekin kudo ku është.
“Jo, ne e dashurojmë Greqinë. Nuk erdha në Mynih për të shqetësuar miqtë e mi grekë, sepse ata ndjekin kudo dhe duan të më shohin, të më dëgjojnë tonin e zërit kur them diçka për jo.Në asnjë mënyrë nuk na vini dot në konflikt me Greqinë”, tha kryeministri.
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo