Lajme

“Autogol diplomatik” në Hagë, Mekuli reagon ashpër: Pse u shkrua “Kosovo” e jo “Kosova”?

Në reagimin e tij në Facebook, publicisti Gëzim Mekuli ka kritikuar ashpër mënyrën se si është prezantuar Kosova në festivalin e ambasadorëve në Hagë, ku në stendën e përbashkët me Shqipërinë emri i vendit është shkruar “KOSOVO”, e jo “KOSOVA”.

Mekuli e cilëson këtë si një “kapitulim vullnetar gjuhësor” dhe një lëshim të papranueshëm që, sipas tij, cenon identitetin dhe sovranitetin kulturor e politik të Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

“KOSOVO”; Kapitulim vullnetar gjuhësor në festivalin e ambasadorëve në Hagë

Prezantimi i stendës së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në Hagë, edhe pse synon bashkimin, vuan nga një mangësi e thellë retorike dhe një zgjedhje vullnetare, e pafalshme gjuhësore, e cila dëmton drejtpërdrejt sovranitetin kulturor, identitar, historik dhe politik të Kosovës.

Fakti që në panelin kryesor të stendës, emri i Kosovës shkruhet “KOSOVO” – duke përdorur prapashtesën sllave “O” – në vend të formës shqipe “A”, “KOSOVA”, përbën një gabim strategjik dhe një lëshim të papranueshëm në një arenë kaq të rëndësishme diplomatike.

Prapashtesa sllave është mjet politik; Prapashtesa “O” nuk është sall një çështje gramatikore e gjuhës serbe; ajo është një mjet i dokumentuar politikisht i përdorur nga Serbia prej 1878-ës për të ruajtur një pretendim retorik, e më pas edhe politik, mbi territorin e Kosovës; duke e portretizuar Kosovën me identitet thelbësisht sllave. Përdorimi i kësaj forme nga vetë organizatorët shqiptarë është një pranim i padukshëm i kësaj retorike serbomadhe.

Të nderuar ambasadorë,

Haga nuk është Beograd: Në një festival të ambasadorëve në Hagë, ku nuk ka asnjë detyrim protokollar për të përdorur terminologjinë serbe, vendosja e emrit “KOSOVO” dëshmon ose një neglizhencë totale, ose një mungesë flagrante të vetëdijes kombëtare nga organizatorët.

Për qindra vite me radhë, shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët në ish Jugosllavi kanë luftuar për të pohuar identitetin e tyre shqiptar, duke përfshirë edhe emërtimin e vendit të tyre në gjuhën shqipe, Kosova.

Zëvendësimi emrit KOSOVA me variantin serb ‘KOSOVO, në një stendë të përbashkët me Shqipërinë është një fyerje për sakrificën e popullit shqiptar dhe një hap prapa në përpjekjet tona për njohje të Kosovës me përmbajtje shqiptare.

Organizatorët e kësaj stende duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë autogol diplomatik dhe kulturor; Nuk ka arsyetim për të shkruar “KOSOVO” në një ngjarje shqiptare në Hagë. Ajo është KOSOVA. Pikë!

Të Ngjashme