Lajme

AUV asgjëson mbi 5.5 tonë misër nga Serbia, u konstatua nivel i lartë i aflatoksinës B1

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar përdorimin dhe tregtimin, si dhe ka mbikëqyrur asgjësimin e 5 mijë e 560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë konfirmuar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi kufijtë e lejuar.

Sipas njoftimit të AUV-së, masat janë ndërmarrë ndaj tri bizneseve në Kosovë.

Në kompaninë “Agro Com” SH.P.K. në Fushë Kosovë janë asgjësuar 3 mijë e 270 kilogramë misër, në “Thermo-1” SH.P.K. në Prugoc të Prishtinës 1 mijë e 40 kilogramë, ndërsa në NTP “Te Hysi” në Shtime janë asgjësuar 1 mijë e 250 kilogramë.

Asgjësimi i sasisë së përgjithshme prej 5.56 tonësh është realizuar më 29 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së.

Aflatoksina B1 është një toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh, e cila mund të gjendet në drithëra, veçanërisht në misër. Ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.

Rreziku mund të bartet edhe përmes zinxhirit ushqimor, pasi kur kafshët konsumojnë ushqim të kontaminuar, kjo toksinë mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht.

AUV u ka bërë thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve që të kenë kujdes me origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, si dhe të mos përdorin apo tregtojnë misër në të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të aflatoksinës B1.

Ministria e Bujqësisë dhe AUV kanë bërë të ditur se kontrollet dhe analizat laboratorike do të vazhdojnë, me qëllim të parandalimit të qarkullimit të produkteve që mund të rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe kafshëve./teve1.info/

Të Ngjashme